Shkëndija rikthen Remzifaik Selmanin në Tetovë!

Shkëndija mbrëmë mbylli sezonin futbollistik 2017/2018 në mënyrën më të mirë të mundshme, ku titullit kampion të fituar zyrtarisht ditë më parë i’a bashkoi edhe trofeun e Kupës, duke arritur në këtë mënyrë që për herë të parë në historikun e saj të fitoj dy titujt vendor në një sezon, njofton “infOSport.mk”.

Një arritje e tillë me siguri se ka kënaqur drejtuesit e klubit tetovarë, por njëkohësisht ka shtuar apetitet e tyre edhe për më shumë, ndërsa në këtë drejtim ata që tani po mendojnë përforcimin e skuadrës, edhe atë kryesisht duke angazhuar futbollistë të moshës së re.

Pas Kostadin Çeshmexhiev, që është shumë pranë firmës me kampionët e ri të vendit, një tjetër emër që pritet ti bashkohet Shkëndijës, është edhe ai i Remzifaik Selmanit, një emër i njohur ky për publikun tetovarë dhe trajnerin Qatip Osmani.

Strategu i “kuqezinjëve” njeh mirë kualitetet e këtij sulmuesi krahu, i cili aktualisht luan në Hungari te skuadra e Ujpeshtit, ndërsa ishin bashkë te Renova, para se ky 21-vjeçar verën e vitit 2017 të transferohet te ish skuadra e Enis Bardhit.

Selmani ishte prezent edhe në ndeshjen e fundit kampionale të Shkëndijës në Tetovë kundër Pelisterit, kur edhe festuan në mënyrë madhështore titullin e dytë kampion. Ai madje qëndronte në ulëset VIP të stadiumit të qytetit në Tetovë, që e bënë edhe më të kapshëm një transferim të tij të mundshëm te Shkëndija.

Trajneri Osmani e dëshironte atë që para se të ikte në Hungari te Ujpeshti, te e cila skuadër megjithatë nuk arriti të marrë hapësirën e duhur nga ana e trajnerit serb, Nebojsha Vignjeviç, i cili i kishte dhënë mundësinë në vetëm dy ndeshje kampionale dhe tre në kuadër të Kupës, ku edhe kishte shënuar një gol.

Ujpeshti kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në mbyllje të kampionatit elitarë hungarez renditet në pozitën e 5-të me 43 pikë, vetëm një pikë më pak se Honvedi i vendit të tretë, pozitë kjo që siguron Europën.

Leave a Reply