Stadiumi i qytetit në Strugë për të dytën ditë me rradhë ka qenë nikoqir i një ndeshje mjaft të tensionuar dhe me shumë polemika, ku sërish në qendër të vëmendjes ishin arbitrat, kësaj rradhe me në krye Josip Bartonin nga Tetova, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja nisi me një gol të shënuar nga Bobi Bozhinovski në minutën e 18-të, ndërkohë nuk vonoi shumë dhe dy minuta më pas Antonio Kalanoski barazoi rezultatin për Struga Trim Lum.
I njëjti futbollist në minutën e 65-të u ndëshkua me të kuq nga ana e Barton, me ç’rast Struga Trim Lum 25 minutat e fundit të takimit duheshe ti zhvillojë me një fuftbollistë më pak në fushë.
Megjithatë kjo nuk u pengoi atyre që të gjejnë edhe golin e dytë në rrjetën e skuadrës nga Gjorçe Petrovi, kur Aleksandar Celeski në minutën e 85-të arriti që të mposhtë portierin Stojan Dimovski, mirëpo i njëjti u anulua për shkak pozitës jashtë loje.
Ky vendim i arbitrit tetovar bëri që ndeshja në vazhdim të zhvillohet me shumë tension, ndërsa për këtë më së shumti kontribuoi edhe vendimi i arbitrit kryesor për të vazhduar ndeshjen plotë 9 minuta dhe pikërisht në minutën e 99-të, të tregojë në pikën e bardhë.
Këtë dhuratë mysafirët nga Shkupi e shfrytëzuan në maksimum, duke shënuar edhe golin e dytë me anë të Kristijan Kostovskit, ndërsa vlen të përmendet se pas penaltisë së akorduar dhe protestave të vazhdueshme të futbollistëve vendas, arbitri Barton me të kuq e ndëshkoi edhe Flamur Tairin.
Falë kësaj fitore Makedonija Gjorçe Petrovi sërish mbetet në pozitën e parë me 50 pikë, vetëm një më shumë se Vëllazërimi i vendit të dytë që sot si vendas me rezultatin 3:0 mundi EuroMilkun.