Futsal Club Forca nga Kumanova debuton me fitore në Ligën e Kampionëve (VIDEO)

Futsal Club Forca nga Kumanova ka bërë një super debutim në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, duke shënuar fitore 4:2 në ndeshjen e parë kualifikuese, kundër kampionëve të Irlandës, Blu Mexhik, njofton “infOSport.mk”.

Pavarësisht disavantazhit që kishin në dy raste, të besuarit e trajnerit Gazmend Hyseni nuk u dorëzuan dhe në fund me shumë meritë arritën deri tek fitorja historike.

Mysafirët kaluan në epërsi ende pa u mbyllur minuta e 5-të, kur Lukas shënoi nga goditja e lirë, derisa këtij goli iu kundërpërgjigjë Taulant Ismaili në minutën e 17-të, kur me të djathtën e tij realizoi një super gol për baraz peshë të rezultatit.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, braziliani De Souza i FC Forca pati mundësinë e artë për të kaluar për herë të parë në avantazh skuadrën kumanovare, mirëpo i njëjti nuk arriti të shënojë nga penaltia.

Kështu në pushim skuadrat shkuan me nga një gol të shënuar, derisa vetëm pas 25 sekondave lojë në pjesën e dytë, Blu Mexhik falë golit të shënuar nga Saldanha sërish kaloi në epërsi.

Megjithatë në vazhdim të takimit në skenë te skuadra kumanovare doli braziliani Daniel Marinho De Souza, i cili shënoi dy super gola për të kaluar për herë të parë në avantazh Futsal Club Forca.

Braziliani shënoi në minutën e 27-të dhe 29-të, ndërsa në minutën e fundit të takimit në skenë doli Dragan Petroviç, i cili shënoi edhe golin e katërt në rrjetën e irlandezëve, për rezultat përfundimtarë, Futsal Club Forca 4, Blu Mexhik 2.

Për Petrroviç, goli i sontëm ishte i 12-ti në kuadër të ndeshjeve në Ligën e Kampionëve Europian të futsalit, aty ku numëron plotë 20 ndeshje.

Ndryshe me po të njëjtin rezultat, (4:2), kampionët e Malit të Zi, Titograd, në ndeshjen e parë të grupit “A” parakualifikues, mundën kampionët e Andorrës, Ranger’s.

Nesër në program në palestën “Jane Sandanski” në Shkup janë edhe dy ndeshje të tjera. Fillimisht nga ora 17:30, Titograd do të përballet me Blu Mexhik, ndërkohë në mbrëmje, nga ora 20:30, forcat do ti masin, Futsal Club Forca dhe Ranger’s. (infOSport.mk)

Leave a Reply