Struga Trim Lum kundër Sllovan Bratisllavës pa shërbimet e Lanre Kehinde!

Struga Trim Lum është gati për rrugëtimin e saj të ri në Europë, aty ku për të dytin vit me rradhë do të prezantojë Maqedoninë në eliminatoret e Ligës së Kampionëve.

Struganëve nuk është se ju buzëqeshi fati në shortin e hedhur të këtij sezoni, pasi që në turin e parë hasën në një kundërshtarë të fuqishëm, siç është Sllovan Bratisllava nga Sllovakia.

E themi këtë, pasi më së miri e pasqyron edhe lista e futbollistëve të kësaj skuadre që është bërë publike nga UEFA, e ku figurojnë emra si ai i Juraj Kuçka dhe ai i David Strelec, që ishin pjesë e kombëtares sllovake, duke zhvilluar të gjitha ndeshjet në Europianin e këtij viti që po zhvillohet në Gjermani, njëjtë sikurse edhe gjeorgjiani, Guram Kashia, i cili njëherit mbante edhe shiritin e kapitenit te kombëtarja e Gjeorgjisë, që arriti të kaloj fazën e grupeve.

Përveç kësaj treshe, te Sllovan Bratisllava, gjithashtu luajnë edhe disa futbollistë që mbrojnë ngjyrat e shtetit të tyre, si Kenan Bajriç (Slloveni), Tigran Barseghyan (Armeni), Robert Mak (Sllovaki) dhe César Blackman (Panama).

Ndërkohë sa i përket listës së futbollistëve të Struga Trim Lum, të paraqitur për ndeshjen e parë në Bratisllavë, bie në sy mungesa e Lanre Kehinde. Ky i fundit nuk do të jetë në disponim të trajnerit Qatip Osmani, për shkak se u prezantua vetëm dje dhe dokumentacioni i tij do të duhet disa ditë për të arritur në UEFA.

Megjithatë, Kehinde besohet se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e kthimit në Ohër.

Ndërkohë sa u përket emrave tjerë të rinj, që kanë ardhur gjatë këtij afati kalimtarë, si Filip Dujmoviç, Hristijan Stevkovski, Arbi Vosha, Massaki Takahara, Bojan Ilievski, Stefan Jeftovski, Stefan Spirovski dhe Kire Ristevski, që të gjithë figurojnë në listën e dorëzuar në UEFA nga ana e drejtuesve të Struga Trim Lum, dhe që të gjithë do të kenë të drejtë për të luajtur nesër mbrëma në Bratisllavë në ndeshjen e turit të parë të Ligës së Kampionëve, kundër Sllovan Bratisllava. (infOSport.mk)

Leave a Reply