Myrto Uzuni padyshim që ka pasur sezonin më fantastik dhe më të suksesshëm të karrierës së tij deri më tani. Sulmuesi shqiptar u shpall kampion me Granadan në La Liga 2 dhe arriti ta rikthente ekipin e tij në elitë falë 23 golave të shënuar, që i mundësuan atij të shpallet edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit, duke fituar kështu edhe “Këpucën e Artë”.
Gjithsesi, e gjithë kjo arritje, ka edhe një vlerë monetare e cila ndikon direkte në vlerën e kartonit të Myrto Uzunit. Sipas marrëveshjes së nënshkruar mes lojtarit dhe ekipit spanjoll, në rast ngjitje në La Liga, klauzola e largimit të tij do të bëhej 25 milionë euro.
Ajo tashmë ka hyrë në fuqi menjëherë pasi Granada do të luajë sezonin e ardhshëm në elitë dhe gjithashtu klubet e tjera e kanë të qartë. Kush dëshiron të ketë Uzunin në ekip, duhet të paguajë të paktën 25 milionë euro. Gjithsesi, duket se lojtari do të qëndrojë të paktën edhe këtë sezon me Granada.