Skuadra kampione e Kosovës, FC Ballkani do të luaj në grupet e Ligës së Konferencës, pasi edhe në ndeshjen e dytë mundi FC Shkupin, këtë herë me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.
Edhe në këtë ndeshje për skuadrën nga Suhareka shënoi, Meriton Korenica, i cili i kishte dhënë fitoren Ballkanit edhe në ndeshjen e parë në Shkup, kur kishte shënuar për 2:1.
Kështu Ballkani me rezultatin e përgjithshëm 3:1 u kuaifikua për në grupet e Ligës së Konferecës, ku shpresojmë të has në kundërshtarë më të lehtë dhe atje të bëjë surprizën e rradhës.
Ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, nisi në mënyrën më të keqe për FC Shkupin, pasi që në minutën e dytë Xhelil Abdullah u ndëshkua me të kuq, duke lënë skuadrën me 10 futbollistë në fushë. Ishte kjo një ngarkesë shtesë për skuadrën e Goce Sedlloskit, të cilit që në start iu prishën planet, ndërsa ishte Ali Adem që e ngushëllonte mbrojtësin tetovar, rrugës për në xhveshtore.
Nga goditja e lirë, të cilën e shkaktoi Abdullai, Korenica goditi vetëm pjesën e jashtme të rrjetës, ndërsa i njëjti tentoi edhe pak më vonë, sërish nga gjuajtja e lirë, por pa probleme për portierin Naumovski.
Edhe pse Ballkani sulmonte vazhdimisht në drejtim të portës së “pëllumbave” nga Çairi, Naumovski në asnjë rast nuk u rrezikua seriozisht, ndërsa në anën tjetër në minutën e 30-të, Cepas u rrëzua në zonën kundërshtare, mirëpo edhe përkundër protestave të mëdha të lojtarëve të FC Shkupit, penalti nuk pati, ndërsa nga e gjithë kjo e pësoi trajneri Gose Sedlloski, që u ndëshkua me të verdhë.
Rastin më të mirë për të kaluar në epërsi vendasit e patën në minutën e 40-të, kur Ermal Krasniqi edhe pse doli i vetëm para portierit Naumovski, nuk arriti që ta mposhtë, me ç’rast pjes e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
-Pjesa e dytë nisi me tentativën e Cepas, i cili në minutën e 51-të tentoi nga distanca, mirëpo pa rrezikuar portierin Frashëri, i cili vetëm me shikim përcolli topin jashtë kuadratit.
Ballkani u kundërpërgjigj me një aksion të shpejtë, por goditja e Armend Thaçit u devijua në rivënie nga këndi, që nuk solli ndonjë rrezik më pas për portierin, Naumovski.
Minuta e 59-të, Cepas edhe njëherë tjetër depërtoi në zonën kundërshtare, mirëpo kur të gjithë menduan se arbitri kryesor tregoi në pikën e bardhë, i njëjti sinjalizoi vetëm rivënie fundore.
Pas një solo aksioni të Rrahmanit dhe gabimit te mbrojtësve të FC Shkupit, më së miri përfitoi Meriton Korenica, i cili në minutën e 69-të shënoi golin e avantazhit për Ballkanin, që në ato momente kishte një epërsi të përgjithshme prej 3:1.
Pas këtij goli pasuan edhe dy raste të pastërta për Ballkanin, mirëpo mjaft mirë intervenoi portieri Naumovski, që nuk lejoi që brenda pak minutave të pranojë edhe një gol tjetër.
FC Shkupi tentoi të bëjë diç më tepër deri në fund të takimit, por nuk i’a arriti, duke lëshuar kështu mundësinë e artë që për herë të parë në histori të luaj në grupet e një kompeticioni europian.
Megjithatë, neve shqiptarët duhet të jemi të kënaqur pasi në vend të Shkupit, do të kemi një skuadër tjetër shqiptare, Ballkanin, që i urojmë shumë suksese në grupet e Ligës së Konferencës. (infOSport.mk)