Egzon Belica edhe përfundimisht mund të thuhet se ka mbyllur aventurën e tij me Partizanin. Edhe pse nuk ka asnjë konfirmim nga ana e klubit shqiptarë, burime pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se Belica mund të përfundojë te Shkëndija, aty ku do të rigjente trajner Artim Shaqirin.
Belica tashmë disa vite me rradhë ishte titullarë i padiskutueshëm te Partizani, mirëpo tashmë gjërat kanë ndryshuar me Mehmetin në krye, i cili nuk mund t’ia siguronte dot struganit një gjë të tillë.
Aktualisht Belica ndodhet në Strugë, dhe i njëjti nuk e ka ndërmend të rikthehet në Tiranë, sidomos edhe pas bisedës së fundit me drejtuesit e klubit, të cilët e kishin njoftuar atë edhe për ulje të pagës.
Gjitha këto ndryshime, kanë bërë që edhe Belica të ndryshojë mendje, e me shumë gjasa edhe mjedis.
Kujtojmë, Belica pjesë e Shkëndijës ishte edhe në sezonin 2013/2014, kur edhe për herë të fundit kishte luajtur në futbollin tonë vendor. Përveç me Shkëndijën, mbrojtësi strugan në futbollin tonë vendor kishte luajtur edhe me Rabotniçkin dhe Ohrid Lihnidos, ndërsa gjithashtu kishte bërë edhe karrierë ndërkombëtare, duke luajtur me Konkordia në Rumani, FC Inter në Finlandë dhe Riga në Letoni. Ndryshe pjesë e Partizanit të Tiranës, Belica është që nga janari i vitit 2018-të, ndërsa në Shqipëri vlen të theksohet se kishte luajtur edhe me Besën e Kavajës. (infOSport.mk)