KF Shkëndija dhe portieri Davor Taleski kanë arritur marrëveshje për të ndërprerë bashkëpunimin mes tyre. Pas dy viteve e gjysmë me fanellën “kuqezi”, portieri 29-vjeçar largohet nga klubi për të kërkuar një ambient ku do të ketë më shumë hapësira për lojë.
Ai edicionin e fundit nuk ishte zgjidhja e parë e trajnerit Jeton Beqiri, i cili preferonte në portë Astrit Amzain.
Davor Taleski Shkëndijës iu bashkua në qershor të vitit 2022, kur arriti nga rradhët e skuadrës kampione të Struga Trim Lum.
Në gjithsej 49 paraqitje me fanellën e Shkëndijës, ai kishte pranuar 40 gola, ndërsa në 21 raste kishte mbajtur portën e tij të paprekur.
Interesim për shërbimet e tij ka shfaqur Vardari, mirëpo edhe disa skuadra nga Superliga e Kosovës. Mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i rradhës për gardianin nga Manastiri, i cili ka një eksperiencë të bukur në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, aty ku numëron plotë 165 paraqitje.
Me shumë gjasa vendin e tij të lënë bosh, te Shkëndija do ta zë Riste Jankov, që javë më parë u nda me Tikveshin. (infOSport.mk)