FC Struga Trim Lum përmes faqes zyrtare ka njoftuar se ka arritur marrëveshje me futbollistin tetovar, Memetriza Hamza. 20-vjeçari skuadrës kampione në fuqi i bashkohet nga rradhët e Bashkimit të Kumanovës, aty ku edicionin e fundit shkëlqeu me paraqitjet e tij, duke qenë vendimtarë me disa nga golat e shënuar.
Pikërisht paraqitjet me fanellën e skuadrës kumanovare bënë që drejtuesit e Struga Trim Lum të reagojnë më shpejtë dhe t’ia besojnë fanellën “bardhekuq”, me të cilën do të paraqitet gjatë stinorit pranveror.
Ndryshe Hamza është prodhim i shkollës së Shkëndijës së Tetovës, me të cilën skuadër kishte debutuar në Ligën e Parë gjatë vitit 2023, kur ishte vetëm 19-vjeçar, për të vijuar më pas karrierën në formë huazimi te Besa e Dobërdollit.
Me këtë skuadër Hamza shkroi historinë, duke u shpallur kampion në Ligën e Dytë dhe duke siguruar një vend në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, teksa verën e vitit 2024 atë e gjeti me skuadër të re, Bashkimin e Kumanovës.