Masar Omeragiç edhe zyrtarisht është zgjedhur në postin e Presidentit të ri të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”.
Në Kuvendin e jashtëzakonshëm që u mbajt sot, Omeragiç me aklamacion u zgjodh në postin e të parit të futbollit në vend.
Ndërkohë, Drilon Ganiu, i cili deri më tani mbante postin e Zv.Sekretarit, është emëruar Sekretar Gjeneral pranë Federatës së Futbollit, post ky që një shqiptarë do e udhëheq për herë të parë në këtë institucion.
“Durim, këmbëngulje dhe shumë sakrificë. Unë jam një nga ju, një njeri i futbollit. E di si duhet të jetë dhe e di se në cilin drejtim duhet ta zhvillojmë futbollin në Maqedoni. Futbolli është punë ekipore dhe një individ nuk mund ta bëjë atë i vetëm. Ashtu si në fushë, duhet shumë vrap, shumë punë, shumë djersë për të arritur fitoren. I tillë është futbolli, në të cilin kujtohen vetëm fitoret dhe sukseset, e tillë është edhe puna e presidentit në federatë.
Së bashku do të gëzohemi për sukseset, së bashku do të pikëllohemi në disfata. Ky është një sport në të cilin nuk ka sot për nesër, ky është një sport që kërkon punë dhe një ekip shumë të mirë për të arritur qëllimin” – ishin fjalët e para të presidentit të ri, Masar Omeragiç, i cili gjithashtu foli edhe për plan programin dhe atë që mendon së shpejti ta bëjë në Federatë.
Kujtojmë, Omeragiç në postin e Presidentit zëvendëson Muhamed Sejdinin, i cili në këtë post ishte për 6 vite e gjysmë. (infOSport.mk)