Drita e Zekirja Ramadanit e mbylli me fitore dhe si kampione stinorin vjeshtorë në Kosovë

Superliga e Kosovës ka mbyllur sot stinorin vjeshtor me dy ndeshjet e xhiros së 18-të. Në Gjilan, Drita e Zekirja Ramadanit mundi Feronikelin me shifrat 2:1, ndërkohë në derbin e Suharekës, FC Ballkani mposhti Suharekën me shifrat 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Drita nuk e kishte nisur aspak mirë ndeshjen ndaj skuadrës nga Drenasi, pasi Feronikeli kaloi në epërsi vetëm pas 11 minutave lojë falë golit të Zekollit.

Skuadra e Zekirja Ramadanit reagoi në pjesën e dytë, kur fillimisht pas 10 minutave lojë, Broja barazoi shifrat në 1:1, ndërsa në minutën e dytë të kohës shtesë, Manaj shënoi golin e dytë dhe të fitores për ekipin gjilanas.

Me këtë fitore, Drita arrin në kuotën e 40 dhe mbyll stinorin vjeshtor si kampion.

Ndërkohë, në Suharekë është zhvilluar derbi lokal mes Suharekës dhe Ballkanit. Skuadra e drejtuar nga Orges Shehi ka arritur fitore të pastër 2:0.

Emërllahu shënoi golin e parë në minutën e 15-të, ndërsa Tolaj ishte ai që vulosi rezultatin në minutën e 69-të.

Kjo fitore e mban Ballkanin në vendin e dytë me 33 pikë, derisa Suhareka përfundoi në pozitën e 5-të me 25 pikë.

Leave a Reply