Në një goleadë me 7 gola të shënuar, Shkëndija mundi AP Brera me rezultatin 4:3, duke marrë në këtë mënyrë kryesimin në renditje.
Shkëndija ndeshjen e hapi më mirë dhe relativisht lehtë mori epërsi të sigurtë 2:0. Fillimisht arbitrat me të drejtë anuluan golin e Cakes (10’) për pozitë jashtëloje, derisa pak më vonë (13’) Shala gjeti golin e parë sezonal për epërsi 1:0.
Në minutën e 28-të epërsia shkoi në 2:0 kur Florent Ramadani përfitoi nga një rëmujë në zonën kundërshtare dhe shënoi golin e tretë sezonal në këtë kampanjë.
Pjesa e parë u mbyll me gol për miqtë, kur Ristovski me një super gol (42’) nga distanca riktheu AP Brera në lojë, (2:1).
Piesa e dytë nisi me gol për Brerën, pasi Ivkoviq shfrytëzon asistin e Gjorgievskit për barazim 2:2. Reagimi i “kuqezinjëve” të Jeton Beqirit erdhi me Fiton Ademin (54’) që përfitoi nga një gabim i miqve dhe me golin e 6-të sezonal, solli sërish në epërsi Shkëndijën, këtë herë me rezultatin 3:2, para se të lëshojë lojën për arsye dëmtimi (sërish problem me kofshën e këmbës).
Në minutën e 62-të, Shkëndija përmes një aksioni model ishte shumë pranë golit të katërt, mirëpo i njëjti nuk u konkretizua me gol nga Florent Ramadani, derisa disa sekonda më vonë e djathta e Kërstevskit u ndal në traversë.
Megjithatë nuk vonoi shumë dhe fati i buzëqeshi Kërstevskit, kur pasi qetësoi një top brenda zonës kundërshtare, me të djathtën e tij doli të jetë preciz, duke shënuar për 4:2.
Shkëndija në aksionin e rradhës shkoi shumë pranë golit të pestë, kur sërish në skenë doli Kërstevski, derisa në minutën e 76-të, një penalti të shkaktuar nga Trumçi, sulmuesi mysafir Ivkoviq e konvertoi në gol, duke vendosur njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të takimit, Shkëndija 4, AP Brera 3. (infOSport.mk)