Fitorja e tretë e njëpasnjëshme në kampionat, ka lënë të kënaqur edhe trajnerin, Qatip Osmani, për më tepër që kjo fitore erdhi ndaj liderit të deritanishëm, Rabotniçkit. Me këtë fitore, skuadra strugane përveç që vazhdoi serinë e fitoreve, arriti të mbaj hapin me skuadrat kryesuese, duke ngushtuar kështu në vetëm dy pikë diferencën me treshen udhëheqëse.
“Na duhej kjo fitore për të mbajtur kontinuitetin e fitoreve, por mbi të gjitha edhe hapin për kreun e tabelës së klasifikimit. Ndoshta edhe ngarkesa për të fituar ndeshjen e bëri të veten, pasi bëmë disa gabime në vendosje, por herë pas here edhe në pasime, mirëpo me rëndësi është që skuadra nuk pësoi gol dhe mbi të gjitha në fund morrëm tre pikët që kërkonim.” – u shpreh fillimisht trajneri Qatip Osmani.
Siç dihet, tashmë pason pauzë dy javore në kampionat, kjo për shkak ndeshjeve të nëntorit të përfaqësueses futbollistike të Maqedonisë në kuadër të Ligës së Kombeve. Për trajnerin Osmani, kjo pauzë ndoshta nuk është e mirëseardhur për skuadrën e tij, pasi skuadra e tij veçmë kishte kapur një ritëm të fitoreve.
“Ndonjëherë pauzat në kampionat janë të mira, por ndonjëherë edhe jo. Në rastin tonë konkret, mund të them se nuk është edhe e mirëseardhur, pasi skuadra kapi një seri të bukur të fitoreve. Megjithatë ky është orari dhe neve e respektojmë të njëjtin” – thotë Osmani, i cili foli edhe për rikthimin e mundshëm të kapitenit Shabani pas pauzës ndërkombëtare.
“Pa dyshim se e kemi vuajtur mungesën e kapitenit tonë. Pikërisht mungesa e tij ndoshta solli edhe atë seri negative të rezultateve tona, kur kishim një periudhë të zbehur. Ai tashmë ka fillluar të stërvitet me grupin, mirëpo i njëjti po ju nënshtrohet stërvitjeve të lehta, pasime me topin, vrapime dhe fitnes, mirëpo shpresojmë që të njëjtin ta kemi gati për ndeshjet pas pauzës ndërkombëtare. Nëse gjithçka do të jetë në rregull, besojmë të paktën që kundër AP Brera, i njëjti të jetë në bankinë” – u shpreh Osmani.