Probleme për Silvinjon, Uzuni largohet nga grumbullimi, Asllani në dyshim të fortë për Çekinë

Dëmtimet e lojtarëve po kthehen në makth për kombëtaren shqiptare dhe trajnerin Silvinjo. Pasi u detyrua të mos grumbullojë emra si Broja, Manaj apo edhe Medon  Berisha për shkak të shqetësimeve të tyre fizike, trajneri i kombëtares shqiptare, ka marrë lajme të këqija edhe nga grupi që po stërvit në Tiranë.

Myrto Uzuni dhe Kristjan Asllani u stërvitën veçmas në seancën e dytë përpara ndeshjes me Çekinë, ndërsa pas ekzaminimeve mjekësore të bëra sot, rezonanca e fundit magnetike  tregoi një dëmtim në muskujt e pulpës së djathtë, ashtu që sulmuesi i Granadas nuk do të jetë në gjendje për të ndihmuar skuadrën për dy ndeshjet e tetorit, kundër Çekisë dhe Gjeorgjisë.

Një shqetësim tjetër për trajnerin Silvinjo, është edhe ai për mesfushorin Kristjan Asllani.

Problemet në stërvitjen e fundit, kanë krijuar goxha panik tek stafi kuqezi, pasi Asllani është pikë referimi në mesfushë dhe vështirësisht i zëvendësueshëm.

Prania në Çeki sidomos të premten është në dyshim të fortë. Në rastin ekstrem Silvinjo duhet ti ribëjë ekipin, ose të ktheje pas Nedim Bajramin në krah të Laçit dhe Ramadanit dhe në të majtë të sulmit të luajë Hoxha ose ta zëvendësojë Asllanin kokë më kokë me veteranin Abrashi.

Trajneri brazilian ka dy ditë kohe për të punuar mbi këtë ridimension të formacionit, në rast se konfirmohet mungesa e futbollistit të Interit.

Leave a Reply