Struga Trim Lum e pamëshirshme në ndeshjet si vendas, në Strugë dorëzohet edhe AP Brera (VIDEO)

Struga Trim Lum ka regjistruar edhe fitoren e tretë nga po aq ndeshje këtë edicion në ndeshjet si vendas, duke mundur këtë herë AP Brera me rezultatin 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Struga Trim Lum e dominoi në tërësi ndeshjen kundër AP Brera, megjithëse u desh pak kohë që të hapeshin hapësira në mbrojtjen e skuadrës mysafire.

Një lëvizje e bukur në krahun e djathtë nga ana e Bekim Kamberit i mundësoi sulmuesit Lanre Kehinde për të dalë në pah në këtë ndeshje, mirëpo pa arritur të shënojë.

Sulmuesi nigerian në aksionin e rradhës iu afrua shumë golit, mirëpo ishte traverza ajo që nuk e lejoi gëzimin e tij.

Struga Trim Lum vazhdoi të kontrollojë lojën dhe të kërkojë golin e epërsisë, mirëpo mysafirët me vetëdije në pjesën më të madhe të pjesës së parë dolën të jenë shumë më të ashpër, e ku si rezultat në minutën e fundit të kësaj pjese, mbrojtësi serb Laziç u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë skuadrën me një lojtar më pak në fushë.

Trajneri i AP Brera, Bojan Krulj në fillimin e pjesës së dytë bëri një zëvendësim, duke larguar nga loja Antonio Kalanoskin, ndërsa në vend të tij u inkuadrua sulmuesi serb, Ivkoviç. Në anën tjetër trajneri i Struga Trim Lum, Qatip Osmani, i kënaqur nga loja e shfaqur për gjatë 45 minutave të para, nuk u vendos për ndonjë ndryshim në formacion, pasi kishte besim të plotë që goli do të vie.

I pari që u kanos në këtë pjesë ishet Marjan Radeski, kur me kokë mjaft mirë reagoi brenda zonës kundërshtare, mirëpo topi nuk gjeti cakun e duhur.

Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 59-të, Stefan Jevtoski tentoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo pa arritur që të gjejë kuadratin e portës.

Vetëm disa sekonda më pas në skenë sërish doli Lanre Kehinde, mirëpo goditjen e tij me kokë e ndali portieri mysafir, Kupanov, i cili megjithatë kapituloi në minutën e 64-të përballë Stefan Jevtoskit, i cili shënoi golin e epërsisë, kur sërish provoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo këtë herë ishte dukshëm më i saktë se rastin paraprak.

Tifozët strugan duke qenë ende në festë pas golit të Jevtoskit, në minutën e 70-të festuan edhe golin e dytë, që këtë herë e realizoi Lanre Kehinde. Sulmuesi nga Nigeria përfitoi nga një super slalom i Besart Krivanjevës në krahun e majtë, teksa pasi doli i vetmuar para portës kundërshtare nuk fali dhe shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve.

Pas këtij goli skuadra strugane frymoi edhe më lirshëm, duke administruar mjaft mirë minutat e mbetura, edhe pse rezultati mund të ishte edhe më i thellë në rast se rezervisti, Flamur Tairi në minutën e tretë shtesë do të ishte më i saktë në tentativën e tij që me parabolë të shënojë në rrjetën e Kupanov.

Në fund fitore 2:0 për Struga Trim Lum, skuadër kjo që pas 4 xhirove të para renditet në pozitën e dytë me 9 pikë, vetëm një më pak se Shkëndija e vendit të parë.

Për shkak ndeshjeve të përfaqësueses së Maqedonisë në garat e Ligës së Kombeve, pason një pauzë dy javore, që do të jetë e mirëseardhur për ekipin strugan, pas gjithë atyre ndeshjeve, përfshirë këtu edhe ato europiane.

Leave a Reply