FC Shkupi mundet minimalisht në Kratovë, Ibishi humb penalti (VIDEO)

FC Shkupi ka pësuar disfatë minimale 2:1 në udhëtim te Sileksi në Kratovë në ndeshjen e vlefshme për javën e katërt në elitën e futbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.

Fillimi i takimit nuk paralajmëroi një fund të tillë për skuadrën nga Çairi, që fillimisht u kanos me anë të Xhelil Asanit nga gjuajtja e lirë, mirëpo pa arritur të rrezikojnë më konkretisht portën e vendasve.

Futbollistët vendas të Sileksit avansuan me golin e Kristijan Eftimov në minutën e 24-të, gol ky që u tregua si i vetmi gjatë 45 minutave të para, edhe pse FC Shkupi shumë lehtë mund të ndodhte që të barazonte në minutën e 44-të përmes Xhemal Ibishit nga penaltia.

Numri 9-të i “bardhekaltërve” ishte ndalur në mënyrë të palejuar në zonën kundërshtare, pas një pasimi që pranoi në zonë nga ana e Avornyos, mirëpo në momentin kur duheshe të jetë i qetë dhe të shënonte golin e barazimit, ai fillimisht u ndal nga portieri vendas, teksa në tentativën e dytë me kokë goditi vetëm mbi portë.

Pjesa e dytë nisi më mirë për Sileksin, skuadër kjo që me anë të Marko Gjorgjievskit shënoi edhe golin e dytë në minutën e 62-të. Që punët të vështirësohen edhe më shumë për skuadrën nga Çairi, vetëm dy minuta më vonë u përkujdes ganezi Klement Ansah, që u ndëshkua edhe me kartonin e dytë të verdhë.

Kështu me disavntazh numerik në fushë, FC Shkupi e kishte të pamundur të shpresonte shumë në këtë ndeshje, që u mbyll me rezultatin 2:1, kjo falë golit debutues të Demir Imerit me fanellën “bardhekaltër” në minutën e 84-të, kur shënoi nga një goditje indirekte shumë pranë portës vendase.

Deri në fund FC Shkupi tentoi që ti ikte disfatës të paktën në këtë transfertë, mirëpo nuk i’a arriti qëllimit, duke pësuar disfatën e dytë në ndeshjet në transfertë këtë edicion.

Pas 4 xhirove të para, FC Shkupi numëron 4 pikë dhe renditet në pozitën e 6-të me 4 pikë të grumbulluara. (infOSport.mk)

Leave a Reply