Zhegrova dhe Hoxha sonte kërkojnë “biletën” e fundit për Ligën e Kampionëve

Goli i tij i dha vulë triumfit të Lille ndaj Slavia Pragës, në ndeshjen e parë të “Play-Off” në kuadër të Ligës së Kampionëve. Por për ta kompletuar kualifikimin në fazën e grupeve, Edon Zhegrovës me shokë u duhet ta kalojnë edhe sfidën e dytë ndaj çekëve, që në program është sonte.

Skuadrës francize ku luan reprezentuesi i Kosovës, pos fitores, i mjafton edhe barazimi dhe eventualisht një humbje minimale, pasi nga përballja e parë kanë diferencë prej dy golash (2:0).

Edhe më mirë me ekipin e tij, qëndron futbollisti tjetër shqiptarë, Arbër Hoxha.

Fitorja e Dinamo Zagrebit 3:0 në “Maksimir”, thuajse i ka dhënë kualifikimin kampionëve të Kroacisë, nëse nuk do të ndodh ndonjë mrekulli sonte për vendasit e Qarabag.

Te këta të fundit angazhohet ish-sulmuesi i Laçit e Tiranës, Redon Xhixha.

Ndërkohë mbrëmë, plotë 6 shqiptarë siguruan pjesmarrjen në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Albion Rrahmani, Ermal Krasniqi, Qazim Laçi, Indrit Tuci e Enes Osmani te Sparta e Pragës, kurse Kastriot Tahiri, u kualifikua me kampionët e Zvicrës, Jang Bojs, duke mposhtur Galatasarajin në mes të Stambollit.

Leave a Reply