Konfirmohet lajmi i infosport.mk, Krasniqi ndanë rrugët me Shkëndijën

Atë që e paralajmëruam ditë më parë, sot u konfirmua edhe nga drejtuesit e Shkëndijës, që përmes faqes së tyre zyrtare njoftuan ndërprerjen e bashkëpunimit me mesfushorin kosovar, Endrit Krasniqi.

“KF Shkëndija njofton se është arritur marrëveshje e përbashkët për t’u ndarë me mesfushorin Endrit Krasniqi, pas kërkesës së tij për ndërprerjen e parakohshme të kontratës për arsye familjare.

Në këto momente, KF Shkëndija ka treguar mirëkuptim dhe ndjeshmëri, duke e vendosur gjithmonë mirëqenien e lojtarit në plan të parë. Vendimi për t’i ofruar Endritit mbështetjen e nevojshme dhe lirinë për të qenë pranë familjes së tij është një dëshmi e vlerave të larta jo vetëm sportive që klubi ynë përfaqëson.

Ne falënderojmë Endritin për përkushtimin dhe kontributin gjatë qëndrimit të tij me Shkëndijën. Krasniqi ishte pjesë e rëndësishme e ekipit tonë, dhe ne i urojmë gjithë të mirat në të ardhmen, duke shpresuar që rrugët tona do të kryqëzohen sërish në të ardhmen.

KF Shkëndija mbetet e përkushtuar ndaj objektivave për këtë sezon dhe do të vazhdojë të punojë për të arritur sukses.” – thuhet në komunikatën e klubit tetovar.

Endrit Krasniqi skuadrës së Shkëndijës iu bashkua verën e vitit 2023, kur erdhi nga rradhët e Prishtinës. Ai edicionin e kaluar me fanellën “kuqezi” zhvilloi 31 ndeshje kampionale, duke regjistruar edhe 6 gola dhe plotë 13 asistime.

Gjithashtu dy ndeshje zhvilloi edhe në garat europiane, ashtu siç bëri edhe këtë edicion, kur luajti në të dyja ndeshjet kundër FC Noah, ndërsa dy ndeshje tjera zhvilloi edhe në Ligën e Parë në sezonin e ri, në të cilin Shkëndija pas 3 xhirove të para kryeson renditjen me 7 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply