Festa me shqiponjë e futbollistëve shqiptarë të Sparta Pragës i paska djegur futbollistit serb! Kërkon largimin nga kampionët e Çekisë

Fitorja e mbrëmshme e Sparta Pragës kundrejt Malmos, që njëherit skuadrës kampione të Çekisë i siguroi kualifikimin në grupe, kaloi në festë “kuqezi”, kjo për shkak katërshes së futbollistëve shqiptarë që janë pjesë e kësaj skuadre.

Për më tepër Albion Rrahmani shënoi golin e dytë, duke vulosur kualifikimin e Sparta Pragës, që në fund shënoi fitore 2:0, fitore kjo identike me atë nga ndeshja e parë e zhvilluar në Suedi.

Ishte ky goli debutues i sulmuesit “dardan” me fanellën e Sparta Pragës, ndërsa i njëjti pas përfundimit të ndeshjes së bashku edhe me futbollistët tjerë shqiptarë të kampionëve çek, Ermal Krasniqi, Indrit Tuci dhe Qazim Laçi, festoi me shqiponjën dy krenare.

E gjithë kjo bëri bujë në shumë media, mirëpo si duket fotot e shkrepura nga ana e futbollistëve shqiptarë duke festuar me shqiponjë, i paskën djegur bashkëlojtarit të tyre serb, Veljko Birmançeviç, i cili sipas mediave në Serbi ka kërkuar largimin e menjëhershëm nga rradhët e Sparta Pragës, pasi nuk është aspak i lumtur, kjo edhe pas presionit të madh që vjen nga vendlindja e tij.

Leave a Reply