Ekskluzive, Agron Rufati së shpejti i bashkohet Dinamo City

Agron Rufati pas largimit nga AP Brera, ende figuron si lojtar i lirë, mirëpo ky status pritet të ndryshojë shumë shpejtë. Burime pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se mbrojtësi 25- vjeçar i lindur në Zagreb, së shpejti do të veshë fanellën e Dinamo City, te e cila skuadër pritet të ndodhin disa ndryshime brenda këtyre ditëve.

Ato vetëm se filluan me largimin e trajnerit Dritan Mehmeti, i cili në të ardhmen do të punoj me ekipin U21, derisa në vend të tij ekipin e parë pritet ta marrë trajneri tashmë i mirënjohur, Ilir Daja.

Pikërisht Rufati mund të jetë dhurata e para për strategun 57-vjeçar nga Tirana, i cili në këtë mënyrë do të rikthehej sërish në Shqipëri, aty ku pikërisht me Dinamon kishte fituar edhe një titull kampion.

Dinamo vuante prej kohësh për një mbrojtës të mirë, ndërsa profili i Rufatit pritet të plotësojë kërkesat e tyre për sezonin e ri në Superligën shqiptare, që nuk e kanë nisur aspak mbarë, duke pësuar disfata në dy xhirot e para.

Kujtojmë, Rufati së fundmi ishte pjesë e AP Brera në futbollin tonë vendor, ndërsa si i ri kishte nisur të luaj me grupmoshat e Dinamo Zagreb.

Si profesionist e kishte nisur me Lokomotivën e Zagrebit, për tu transferuar më pas te Istra, ndërkohë në shtatorin e vitit 2020 në moshë 21-vjeçare ishte transferuar në Ukrainë te skuadra e Zoria Lugansk.

Më pas kishte luajtur në Rumani me Akademia Clinceni, ndërsa janarin e vitit 2023 për herë të parë kishte vendosur të luaj në Maqedoni, vendlindjen e prindërve të tij, duke zgjedhur skuadrën e AP Brera.

Ndryshe, i njëjti ka qenë edhe pjesë zinxhir e përfaqësueseve të Maqedonisë, U18, U19 dhe U21, për të cilin kishte zhvilluar 14 paraqitje.

Leave a Reply