LPFMV-Java 3, Shkëndija dhe Shkupi sipas planit, ngec Struga, fitore historike për Besën

Të dielën në futbollin vendor në program ishin ndeshjet e xhiros së tretë në elitën e futbollit vendor, aty ku si befasi mund të konsiderohet disfata e kampionëve të Struga Trim Lum në Shkup përballë Rabotniçkit, shkruan “infOSport.mk”.

Ishte kjo disfata e parë për kampionët në fuqi të vendit, por njëherit edhe e para në përballjet me “romantikët” në Shkup. Deri dje, Struga Trim Lum numëronte 4 fitore dhe 4 barazime në ndeshjet ndaj Rabotniçkit në kryeqendrën tonë, aty ku gjithashtu në qendër të vëmendjes ishte edhe derbi mes dy njohësve të vjetër, FC Shkupit dhe Vardarit.

Në një dominim total, skuadra nga Çairi shënoi fitore 3:0, duke bërë që Shkupi të mbulohet me ngjyrat “bardheblu”.

Ndërkohë midis Strumicës ngadhnjyen ngjyrat e vërteta “kuqezi”, pasi Shkëndija falë “dopietës” së Fiton Ademit mundi AP Brera me rezultatin 2:0, duke marrë kryesimin e tabelës së klasifikimit pas tre xhirove të para.

Aty pranë Shkëndijës, ndodhet edhe KF Gostivari, skuadër kjo që me shifrat 2:0 mundi Voska Sportin në Ohër, ndërkohë në qytetin e bukur të Gostivarit, Besa e Dobërdollit shkroi historinë, duke regjistruar fitoren e parë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.

Pjesë e kësaj historie të bukur, u bë shkupjani, Admir Latifi, i cili shënoi golin e vetëm në fitoren 1:0 ndaj Tikveshit. Fitore identike morri edhe Pelisteri në Manastir përballë Sileksit, duke regjistruar kështu fitoren e parë në sezonin e ri pas rikthimit në elitë. (infOSport.mk)

LPFMV – Java 3

Rabotniçki 2:0 Struga Trim Lum
FC Shkupi 3:0 Vardari
AP Brera 0:2 Shkëndija
Besa D. 1:0 Tikveshi
Voska Sport 0:2 KF Gostivari
Pelisteri 1:0 Sileksi

Leave a Reply