Kryeqendra jonë vazhdon të jetë e mbuluar me ngjyrat “bardheblu” pas fitores së madhe 3:0 të Shkupit ndaj Vardarit (VIDEO)

FC Shkupi i ka mbajtur leksion futbolli rivalit të përbetuar, Vardarit në ndeshjen e zhvilluar në Çair, që i takonte javës së tretë në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Të dyja skuadrat në këtë ndeshje u futën me trajner të ri, pas vendimeve të fundit të drejtuesve të tyre, me Matija Mirkov, që doli fitues përballë Goran Petreskit.

Mirkov në fushë kishte nxjerrë një formacion shumë sulmues, ku fjalën kryesore e patën dyshja Besar Guxhufi-Xhemal Ibishi, që njëherit ishin edhe autorët e dy golave të parë.

Ishte Guxhufi, ai që shënoi golin e epërsisë në minutën e  33-të, kur me të djathtën e tij lëshoi një predhë të vërtetë që nuk kishte kundërpërgjigje nga ana e portierit Filip Gaçevski, që sërish ishte në qendër të vëmendjes me gjestet dhe provokimet e tij tashmë të zakonshme.

Megjithatë “bardheblutë” i treguan vendin të njëjtit sin ë fushë, ashtu edhe nga tribunat, aty ku fjalën kryesore e patën “Shvercerat”, që edhe njëherë tjetër treguan kulturë të lartë tifozëllëku, duke e përkrahur në maksimum skuadrën e tyre të zemrës.

Pikërisht përkrahja e tyre ju dha krahë djelmoshave “bardheblu” në fushën e blertë, aty ku në minutën e 55-të në skenë doli sulmuesi Xhemal Ibishi, që ishte i saktë nga pika e bardhë dhe në ato momente shënoi për 2:0.

Mirëpo këtu nuk ishte edhe fundi i golave në rrjetën e Gaçevskit, i cili e pësoi edhe në minutën e 95-të, kur El Haxhu Gueye me kokë vendosi rezultatin përfundimtarë të takimit, FC Shkupi 3, Vardari 0.

Për FC Shkupin ishte kjo fitorja e parë në sezonin e ri, ku deri më tani kishte regjistruar një barazim dhe një disfatë. (infOSport.mk)

Leave a Reply