Struga Trim Lum eliminohet nga garat europiane me një gol në minutën e 96-të (VIDEO)

Një gol i shënuar vetëm në minutën e 96-të bëri që Struga Trim Lum aventurën europiane këtë edicion ta mbyllë që në turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës. Pas fitores 2:1 në ndeshjen e parë në Ohër, sot në ndeshjen kthyese, Struga Trim Lum pësoi disfatë 3:1 përballë Pyunik, skuadër kjo që në këtë mënyrë vijon garat në turin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës.

Fillimi i pjesës së parë ishte shumë i dobët për skuadrën strugane, sidomos në vijën e fundit, aty ku ndoshta mungoi edhe rreshtimi i duhur nga ana e trajnerit Qatip Osmani.

Kësisoj vendasit na ndëshkuan vetëm pas 16 minutave lojë, kur Deble nga brendia e zonës, i ndihmuar edhe nga portieri Dujmoviç, shënoi për 1:0.

Tentativën e parë të skuadrës strugane e regjistruam në minutën e 26-të, kur bombën e Besart Ibraimit, portieri vendas e devijoi në rivënie nga këndi. Ishin këto shenjat e para pozitive të Struga Trim Lum, që duheshe të pësoj ndryshim në formacion në minutën e 29-të, kur në vend të Stefan Spirovskit, në lojë u inkuadrua Bojan Ilievski.

Në minutën e 38-të, Bunjamin Shabani në pamundësi për të kombinuar me Besart Ibraimin, pasoi për Ard Kasamin para zonës kundërshtare, mirëpo goditja e këtij të fundit përfundoi drejt në duart e portierit kundërshtarë.

Kur u mendua se loja jonë po stabilizohet, një minutë para fundit të pjesës së parë, sërish pas një pakujdesie në mbrojtje, Struga Trim Lum pësoi edhe golin e dytë.

Arbitri kishte treguar 5 minuta shtesë në pjesën e parë, e që në tërësi folën për skuadrën e Struga Trim Lum, që në ato momente arriti të shënojë edhe golin e vetëm të këtij takimi.

Fillimisht Lanre Kehinde tentoi me kokë në minutën e 48-të, mirëpo pa sukses, ndërsa në aksionin e rradhës, pas një kundërsulmi të shpejtë të udhëhequr nga Bunjamin Shabani, goleadori Besart Ibraimi në manirin e golashënuesve të mëdhenj shënoi për 2:1.

Shumë pak mungonte që në minutën e 51-të, Struga Trim Lum të shënoj edhe golin e barazimit, kur pas një rivënie nga këndi, mbrojtësi Bojan Ilievski nuk shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit vendas, duke mos arritur të shënojë në rrjetën e zbrazët.

Kështu pjesa e parë u mbyll me shifrat 2:1 në favor të Pyunik, rezultat ky identik me atë nga ndeshja e parë në Ohër, kur i njëjti fliste në anën tonë.

Trajneri Osmani në fillimin e pjesës së dytë u vendos për Marjan Radeskin në sulm, duke larguar mesfushorin Hogan Ukpa. Inkuadrimi i tij në lojë dha fryt, pasi fillimi i kësaj pjese i takoi ekipit strugan, me Ibraimin që tentoi me të majtën e tij, dhe Radeskit, që goditi fuqishëm nga rreth 20 metra, mirëpo goditja e tij përfundoi për disa centimetra jashtë kornizave të golit.

Pasoi një periudhë e zbehtë e lojës nga ana e të dyja skuadrave, me shumë pasime dhe gabime në mesfushë, por edhe tentativa nga largësia. Këtu duhet veçuar dy predhat e Besart Ibraimit në minutat 74 dhe 80, mirëpo që nuk gjetën cakun e duhur, derisa vendasit e Pyunik arritën të shënojnë krejt fare në fund.

Kur ndoshta edhe arbitri po përgatitej për ti rënë bylbylit për fundin e takimit, në sekondat e para që kishin kaluar edhe 5 minutat e treguara shtesë, Pyunik shënoi golin e tretë.

Kështu me një rezultat të përgjithshëm 4:3, Struga Trim Lum mbylli dyluftimin ndaj kampionëve të Armenisë, të cilët vazhdojnë garat në turin e tretë të Ligës së Konferencës.

Leave a Reply