Struga Trim Lum nesër kundër Pjunik për të rikthyer nderin e ekipeve nga Maqedonia

Struga Trim Lum të mërkurën në Ohër do të zhvillojë ndeshjen e parë të turit të dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës kundër Pyunik, skuadrës kampione nga Armenia, një emër i njohur ky, që vazhdimisht luan në garat europiane.

Pyunik nuk është një emër i panjohur edhe për futbollin tonë në Maqedoni, pasi deri më tani kjo skuadër ishte takuar me 4 skuadra të ndryshme.

Pyunik kishte luajtur ndaj Pobedës, Teteksit, Vardarit dhe së fundmi FC Shkupit. Nga gjithsej 8 ndeshje, asnjë humbje për skuadrën kampione të Armenisë, që numëron 5 fitore dhe 3 barazime ndaj skuadrave tona, ashtu që Struga Trim Lum nesër do të duhet të luaj edhe kundër traditës, por edhe për rikthyer nderin e ekipieve nga Maqedonia.

Kujtojmë, Struga Trim Lum përfundoi garat në Ligën e Kampionëve që në turin e parë, pas eliminimit nga kampionët e Sllovakisë, Sllovan Bratisllava, ndërkohë po të njëjtin fat kishte edhe Pyunik, që u eliminua nga kampionët e Bjellorusisë, Dinamo Minsk.

Tashmë të dyja këto skuadra do të kërkojnë të bëjnë më të mirën në Ligën e Konferencës, aty ku edicionin e kaluar Struga Trim Lum arriti deri në fazën “play-off”, ndërsa këtë edicion ambiciet e skuadrës tonë kampione janë edhe më të mëdha, ashtu që nesër presim një fitore nga të besuarit e trajnerit Qatip Osmani.

Ndeshja midis Struga Trim Lum dhe Pyunik luhet nesër në stadiumin e qytetit në Ohër me fillim në ora 17:00.

Leave a Reply