Struga Trim Lum mbyll aventurën në Ligën e Kampionëve, vazhdon në Ligën e Konferencës

Edhe në edicionin e dytë me rradhë në kuadër të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve, skuadra e Struga Trim Lum u eliminua nga Liga e Kampionëve, këtë herë nga 14 herë kampionët e Sllovakisë, Sllovan Bratisllava.

Pas disfatës 4:2 në ndeshjen e parë në transfertë, të besuarit e trajnerit Qatip Osmani, u mundën edhe në ndeshjen e dytë në Ohër, këtë herë me rezultatin 2:1.

Njëjtë sikurse në Bratisllavë, dyshja Strelec – Ëeis, ishin kreatorët e golit të parë, me kapitenin që shënoi edhe në ndeshjen e dytë kundër skuadrës strugane. E gjithë kjo ndodhi në minutën e 9-të, ndërsa edhe përkundër tentativave të Besart Ibraimit, që rrezikoi në tre raste portën kundërshtare gjatë pjesës së parë, Struga Trim Lum nuk arriti të shënojë.

Ndërkohë ishin sërish mysafirët, ata që shënuan në minutën e 34-të, këtë herë pas një gabimi në mbrojtje, me Ristevskin, që tundi gabimisht rrjetën tonë, në tentativë për të pastruar rrezikun para sulmuesit kundërshtarë, Strelec.

I fundit që tentoi në këtë pjesë të shënojë nga rradhët e Struga Trim Lum, ishte Sava Radiç, mirëpo goditja e tij me kokë, përfundoi jashtë në rivënie fundore.

Pas këtij rezultati gjatë 45 minutave të para, trajneri Qatip Osmani, vendosi të reagojë, duke inkuadruar në lojë dyshen Lanre Kehinde – Hogan Ukpa, në vend të Kire Ristevskit, gjegjësisht Arbi Voshës. Kjo la të kuptojmë, që Struga Trim Lum do të jetë më sulmuese në këtë pjesë, megjithatë përkundër dominimit në posedimin e topit, munguan rastet konkrete.

Kjo shtyu trajnerin e struganëve, që sërish të reagojë në formacion, duke iu dhënë besimin dyshes Massaki Takahara dhe Bassirou Compaore. Pikërisht kjo dyshe prodhoi edhe golin e vetëm për skuadrën e Struga Trim Lum në këtë ndeshje, që erdhi në minutën e 85-të.

Takahara nga e majta bëri një veprim mjaft të bukur, duke harkuar brenda zonës kundërshtare, aty ku më së miri u gjind Compaore, që me kokë vendosi njëherit edhe rezultatin përfundimtarë të takimit të sotëm, Struga Trim Lum 1, Sllovan Bratisllava 2.

Kësisoj, ekipi kundërshtarë, Sllovan Bratisllava, do të vazhdojë garat në turin e dytë të Ligës së Kampionëve, derisa Struga Trim Lum aventurën europiane do ta vijojë në Ligën e Konferencës, aty ku në kuadër të turit të dytë eliminatorë do të përballet me armenët e Pjunik. (infOSport.mk)

Leave a Reply