PRESS | Osmani: Rezultati nuk është i paarritshëm

Përkundër disfatës 4:2 në ndeshjen e parë të turit të parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve kundër Sllovan Bratisllava në transfertë, trajneri i Struga Trim Lum,  Qatip Osmani, është optimist.

Ai në Konferencën për shtyp të organizuar menjëherë pas ndeshjes, tha se rezultati nuk është i paarritshëm, në bazë të gjithë asaj që skuadra e tij tregoi sonte para të pranishmëve në stadiumin “Tehelné pole” në Bratisllavë.

“Sa i përket lojës, mendoj se në pjesën e parë vendosën momentet e pakujdesisë të lojës tonë në mbrojtje, kur edhe i pranuam dy gola. Në pjesën e dytë shumë shpejtë u rikthyem, edhe menaxhimin e lojës mendoj se e kishim në nivelin e duhur, fundi i ndeshjes, minuta e 85-të nëse nuk gaboj, pranuam golin e tretë, prap edhe këtu një gabim individual, në vazhdim prap e njëjta gjë u përsërit, ndoshta ra edhe koncentrimi në ato momente, që edhe ndodh në fund të ndeshjeve. Megjithatë ne jemi optimistë, mendoj se rezultati 4:2 nuk është i paarritshëm dhe do të bëjmë çmos për të anuluar këtë rezultat.” – deklaroi trajneri Qatip Osmani, i cili paralajmëron kundërshtarin për ndeshjen e kthimit në vendin tonë.

“Edhe pse kemi një kundërshtarë shumë të fortë përballë, shumë kualitativ, që ka edhe lojtar individual shumë kualitativ, të cilët dinë që ta kthejnë ndeshjen në favor të tyre, por megjithatë unë thash edhe më herët, neve do bëjmë çmos për të anuluar këtë epërsi të Sllovan Bratisllava, sepse edhe neve si skuadër besojmë se treguam se kemi forcë dhe kualitet që na jep një shpresë për një rezultat kalues.” – përfundoi Qatip Osmani.

Ndeshja e kthimit Struga Trim Lum-Sllovan Bratisllava, në program është me datë 17 korrik në stadiumin e qytetit në Ohër, me fillim në ora 17:00.

Leave a Reply