Osmani: Luajmë ndaj ekipit më të mirë sllovak, por do luftojmë për rezultat pozitiv (VIDEO)

Aventurën e dytë rradhazi në Ligën e Kampionëve, Struga Trim Lum do ta nis nga Bratisllava, aty ku nesër do të përballet me shumë herë kampionët e Sllovakisë, Sllovan Bratisllava. Kjo ndeshje e vlefshme për turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve do të zhvillohet në stadiumin “Tehelné pole”, që ka një kapacitet prej 25 mijë ulëseve.

Futbollistët e Struga Trim Lum veçmë shijuan bukuritë e këtij stadiumi, duke u njohur madje edhe me fushën, aty ku nesër do të duhet të djersisin shumë fanellën “bardhekuq”, për të arritur në fund një rezultat pozitiv, tek i cili shpreson trajneri Qatip Osmani.

“Neve gjatë periudhës së përgatitjeve jemi munduar që sa më të gatshëm të presim këtë ndeshje. Me punën që kanë bërë lojtarët, por edhe ndeshjet miqësore, besoj se neve jemi të gatshëm për ndeshjen e nesërme.” – u shpreh trajneri Qatip Osmani, i cili në vijim të prononcimit të tij para gazetarëve sllovak, pranoi se luajnë ndaj ekipit më të mirë nga Sllovakia, Sllovan Bratisllava, një skuadër kjo me traditë, dhe që pas vetes numëron 14 tituj kampion, 6 prej të cilëve në 6 vitet e fundit.

“Bëhet fjalë për ekipin më të mirë në Sllovaki, një klub me traditë dhe rezultate shumë të mira, ashtu që neve maksimalisht e respektojmë Sllovan Bratisllavën. Neve jemi munduar të analizojmë lojën e skuadrës së Sllovan Bratisllava përmes ndeshjeve miqësore që kanë pasur, edhe ndeshjet e fundit në kampionat. Jemi të vetëdijshëm se nesër krejtësisht ndryshe mund të na dalin në fushë, për shkak disa lojtarëve që i kanë pasur në kampionatin Evropian.” – u shpreh trajneri Osmani, duke aluduar në dyshen e futbollistëve të përfaqësueses sllovake, mesfushorit Juraj Kuçka dhe sulmuesit, David Strelec, që me Sllovakinë arritën të kalojnë grupet, për tu mundur më pas nga Anglia në ndeshjen e 1/8 së finales, si dhe kapitenin e Gjeorgjisë, Guram Kashia, që gjithashtu me ekipin e tij kombëtarë, arriti të kalojë grupet.

“Ata lojtarë gjithsesi se janë të njohur në skenën ndërkombëtare për shkak karrierës që kanë bërë, duke luajtur në Ligat Europiane, ashtu që  sigurisht që ato ndeshje që i kemi parë pa prezencën e tyre, ashtu që dalja e tyre në terren nesër, mund të ndryshojë lojën e tyre.” – theksoi trajneri Qatip Osmani, i cili duke folur për filozofinë e ekipit, që është e ngjashme me atë që ai aplikon në strategjinë e tij, konferencën për shtyp e mbylli, duke besuar te një rezultat pozitiv për Struga Trim Lum në ndeshjen e nesërme.

“Unë jam trajner i ri te kjo skuadër, e kam marrë Struga Trim Lum në fillim të këtij sezoni, Struga Trim Lum ka arritur rezultate të mira edhe para se të vija unë, mendoj se nuk e kam pas të vështirë të ndryshojë diçka, sa i përket filozofisë së lojës, kemi sjellë disa përforcime që deri më tani janë treguar se me të vërtetë do të jenë përforcim i mirë për skuadrën, ashtu që gjatë punës që e kemi bërë gjatë fazës përgatitore, mendoj se edhe filozofia ime, edhe filozofia e klubit përputhen, ashtu që nuk kam problem në këtë drejtim.”

“Ne jemi plotësisht të fokusuar në ndeshjen e nesërme, që të arrijmë një rezultat të mirë, një rezultat pozitiv, i cili do na jepte një shpresë për ndeshjen e kthimit.” – përfundoi Osmani.

Ndeshja midis Sllovan Bratisllava dhe Struga Trim Lum, luhet të mërkurën me fillim në ora 19:00 në stadiumin “Tehelné pole” në Bratisllavë.

Leave a Reply