Ballkani nuk ndalet, transferon edhe sulmuesin e Partizanit të Tiranës

Skuadra kampione e Kosovës, FC Ballkani nuk ka të ndalur, kur janë në pyetje transferimet e reja. Si duket, skuadra e Arsim Kabashit, sërish synon grupet e Ligës së Konferencës, apo ndoshta edhe të Liga Europa, varësisht prej shortit që do të ju buzëqesh në fazat e ardhshme.

Ata brenda dy ditëve zyrtarizuan tre emra shumë të rëndësishëm për skuadrën, duke bërë për vete sulmuesin brazilian Giovanni Manson Ribeiro, atë nigerian Sandej Adetunxhi si dhe mesfushorin difenziv, Eris Abedini.

Mirëpo këtu nuk është fundi i transferimeve të drejtuesve të Ballkanit, pasi informacione të besueshme pranë “infOSport.mk”, bëjnë me dije se skuadra nga Suhareka ka gati akordin me ganezin, Alfred Mensah.

Sulmuesi 24-vjeçar së fundmi ishte pjesë e Partizanit të Tiranës, ndërsa në Shqipëri gjithashtu kishte luajtur edhe me Skënderbeun e Korçës. Gjithsej 128 ndeshje dhe 24 gola për këtë sulmues në Kategorinë Superiore të Shqipërisë, aty ku në 15 ndeshje të Kupës, kishte realizuar edhe 8 gola të tjerë.

Kujtojmë, Ballkani gjatë këtij afati kalimtarë ishte mjaft aktiv, duke transferuar edhe mbrojtësit e krahëve Geralb Smajli, Merlind Kodra, Marsel Ismajlgeci dhe Astrit Thaqi.

Leave a Reply