Miqësore, Shkëndija mundi bindshëm Dritën e Gjilanit, sërish në element vëllezërit Ramadani (VIDEO)

Shkëndija e Tetovës ka zhvilluar edhe takimin e katërt në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri, që do ta nis me garat në Ligën e Konferencës. Të besuarit e trajnerit Jeton Beqiri për kundërshtarë në ndeshjen e sotme që u zhvillua në Tetovë, e kishin Dritën e Gjilanit, aty ku trajner është shkupjani, Zekirja Ramadani, njofton “infOSport.mk”.

Shkëndija kishte dominim të plotë në këtë ndeshje, ndërsa më së miri e dëshmon edhe rezultati përfundimtarë, 4:0, në favorin e tyre.

Golin e parë për “kuqezinjtë” nga Tetova e realizoi Fiton Ademi, ndërsa në rolin e asistuesit ishte Florent Ramadani, që bëri gjithçka mirë në zonën kundërshtare para se të dërgonte topin te bashkëolojtari i tij i sulmit.

Florent Ramadani, i cili sot mbante edhe shiritin e kapitenit te Shkëndija, asistoi edhe në golin e dytë, të shënuar nga vëllai i tij, Reshat Ramadani. Ky i fundit u gjind më së miri në zonën kundërshtare dhe me kokë në minutën e 38-të ngriti epërsinë në 2:0.

Me këtë rezultat skuadrat shkuan në pushim, ndërsa po aq gola, Shkëndija realizoi edhe në pjesën e dytë, edhe atë në një interval kohor prej vetëm dy minutash.

Fillimisht Adenis Shala shënoi në minutën e 57-të, duke përfiuar nga asisti me kohë i Fiton Ademit, i cili sërish doli në skenë dy minuta më vonë, këtë herë duke asistuar për Lorik Kaba Jakupin, i cili pasi kaloi edhe portierin kundërshtarë shënoi golin e katërt në rrjetën e Dritës së Gjilanit.

Për Shkëndijën ishte kjo fitorja e tretë në kuadër të ndeshjeve kontrolluese, pas atyre ndaj Tikveshit (1:0) dhe KF Tiranës (1:0), derisa ishin mundur vetëm nga KF Llapi (0:2).

Kujtojmë, Shkëndija këtë vit do na prezantojë në garat e Ligës së Konferencës, aty ku për kundërshtarë në turin e parë eliminatorë do të ketë skuadrën armene të FC  Noah. Ndeshjen e parë “kuqezinjtë” do ta zhvillojnë në transfertë me datë 11 korrik, ndërsa një javë më vonë, ndeshjen e kthimit do ta zhvillojnë në Shkup. (infOSport.mk)

Leave a Reply