Qatip Osmani: Kush është trajneri i ri i Struga Trim Lum?

Struga Trim Lum prej sot është bërë me trajner të ri. Është Qatip Osmani, i cili për herë të parë do të ulet në stolin e skuadrës tonë, për të vijuar rrugëtimin e sukseseve, si në kampionat, ashtu edhe në Europë….

I lindur me 29 qershor të vitit 1969 në Kroaci, i njëjti me futboll kishte filluar të luaj te skuadra e Mlladost nga Petrinje, te e cila skuadër kishte kaluar të gjitha grupmoshat për të arritur edhe në ekipin e parë, që atë kohë garonte në Ligën e Dytë të Jugosllavisë.

Megjithatë lufta që shpërrtheu atje, Osmanin, bashkë me familje e kishin detyruar që të rikthehet në vendlindjen e babait të tij, në Tetovë.

Ishte pikërisht viti 1990, kur Qatip Osmani kishte vendosur të veshë fanellën e Teteksit, skuadër kjo që gjithashtu garonte në Ligën e Dytë të Jugosllavisë. Nga Teteksi, ai u transferua te Shkëndija, duke garuar edhe në Ligën e tretë të Maqedonisë, mirëpo që shumë shpejtë me këtë skuadër arritën që të prekin edhe Ligën e Parë.

Pasoi një periudhë dy vjeçare e tij si futbollistë edhe në Austri (1997-99), për tu rikthyer sërish në Maqedoni, aty ku shumë më i suksesshëm doli të jetë në rolin e trajnerit.

Verën e vitit 2010, Osmani morri drejtimin e Shkëndijës, me të cilën skuadër shkroi historinë, duke u shpallur kampion për herë të parë në historinë e skuadrës tetovare, me të cilën gjithashtu doli kampion edhe në sezonet 2017/18 dhe 2018/19.

Përveç këtyre titujve, ai me Shkëndijën e Tetovës fitoi edhe Kupën dhe SuperKupën e Maqedonisë.

Pikërisht, me Shkëndijën ai kishte punuar në 4 periudha të ndryshme, duke arritur suksese edhe në arenën ndërkombëtare, aty ku kishte arritur të prek edhe fazën e “play-off” të Liga Europa, ndërsa vlen të theksohet se me Renovën i njëjti numëron më shumë ndeshje si trajner.

Osmani një periudhë të shkurtër (shtator 2022-mars 2023) kishte drejtuar edhe FC Shkupin në Maqedoni, derisa së fundmi kishte udhëhequr Vllazninë e Shkodrës, me të cilën skuadër arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke e dërguar këtë skuadër deri në “Final 4”, edhe pse e morri në një situatë shumë të vështirë, kur kjo skuadër ndodhej poshtë tabelës së klasifikimit.

Leave a Reply