Qatip Osmani flet si trajner i Struga Trim Lum

FC Struga Trim Lum ka konfirmuar Qatip Osmanin në pozitën e kryetrajnerit për sezonin e ri. Me strategun 54-vjeçar skuadra strugane ka arritur marrëveshje për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër.

Ai te skuadra kampione në fuqi do të punojë bashkë me  Bashkim Livorekën, krahun e tij të djathtë, me të cilin së fundmi kishin drejtuar skuadrën e Vllaznisë nga Shkodra.

Edhe përkundër interesimit të disa skuadrave tjera, përfshirë këtu edhe ata nga Shqipëria, Osmani, kishte vendosur ti thotë “PO”, Struga Trim Lum.

 “Pas disa ditëve bisedime me drejtuesit e skuadrës, unë vendosa ti them po Struga Trim Lum, një skuadër kjo që tashmë ka dëshmuar veten, sidomos pas atyre dy titujve kampion. Arsyeja, që pranova, patjetër ta them, është mbi të gjitha serioziteti i drejtuesve të klubit ndaj punës, ambiciet e klubit dhe profesionalizmi” – u shpreh fillimisht trajneri i ri i skuadrës strugane, Qatip Osmani, i cili është i lumtur që vjen në një skuadër me ambicie të  larta, e që realisht përputhen edhe me karakterin e tij prej trajneri.

“Po vij te një skuadër që vitet e fundit po tregon rezultate mjaft të mira. Edhe pse vetëm 5 vite janë pjesë e elitës, ata tre herë kanë garuar në Europë, ndërsa dy vitet e fundit janë shpallur edhe kampion. Është ky një motiv shtesë për mua, për të vazhduar me rezultate pozitive” – vijoi Osmani, i cili foli edhe për ambiciet e tij me Struga Trim Lum, sidomos në garat europiane, që do të jenë testi i tij i parë më serioz.

“Patjetër që ishin garat europiane, për ato që diskutuam fillimisht, ku besoj se me disa përforcime adekuate, mund të jemi konkurrues, por gjithnjë duke mbajtur edhe boshtin kryesor të skuadrës, që dorën në zemër ka bërë punën në mënyrën më të mirë këto dy vitet e fundit” – përfundoi Qatip Osmani.

Strategu nga Tetova pa dyshim se është një emër shumë i madh në futbollin tonë vendor, aty ku më parë ka drejtuar edhe tre skuadrat tjera shqiptare, Shkëndijën, Renovën dhe Shkupin, derisa angazhimi i tij i fundit ishte në Superligën shqiptare, aty ku drejtoi Vllazninë e Shkodrës.

Leave a Reply