Prishtina do të kërkojë sot në orën 20:00 në stadiumin “Elbasan Arena” kualifikimin historik ndaj kampionëve të Andorrës, Inter Club d’Eskaldes.
Pasi fituan ndeshjen e parë ndaj kampionëve të San Marinos, Folgore, të besuarit e Zekerija Ramadanit luajnë sot finalen e turit paraeliminator të Ligës së Kampionëve. Fitorja ndaj andorrianëve do t’i kualifikonte kampionët e Kosovës për herë të parë në historikun e tyre në turin e parë, aty ku do të gjenin Ferencvaroshin e Myrto Uzunit.
Për shkak pezullimit do të mungojë mesfushori i majtë, Leonit Abazi, ndërsa rikthehet qendërmbrojtësi Leotrim Bekteshi.
“Është një ndeshje e vështirë. Ekipi e di se çfarë na pret dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Do të mundohemi të freskojmë formacionin. Besojmë shumë te një rezultat pozitiv, por duhet të kemi një përqendrim më të mirë para portës”, – u shpreh trajneri i Prishtinës, shkupjani Zekirja Ramadani gjatë konferencës për shtyp të organizuar gjatë ditës së djeshme.