Burhan Aliji prezantohet te Sileksi

Burhan Aliji është prezantuar te Sileksi, me të cilën skuadër gjatë ditës së sotme ka bërë edhe debutimin, duke u inkuadruar në lojë në ndeshjen që skuadra nga Kratova e zhvilloi kundër kampionëve të Shqipërisë, Teutës.

“infOSport.mk” për transferimin e Alijit te Sileksi kishte informuar gati dy javë më parë, ndërsa tashmë edhe zyrtarisht është bërë prezantimi i tij me fanellën e skuadrës që edicionin tjetër do të luaj në Ligën e Dytë – Perëndim.

Mirëpo paraprakisht mesfushori kumanovar me Sileksin e tij do të luajnë në Europe Conference League, aty ku për kundërshtarë do të kenë moldavët e Petrokuib Hincesti. Pikërisht ndeshja kundër Teutës, skuadrës nga Kratova i shërbeu si parapërgatitje për atë që e pret me 8 korrik, kur në stadiumin kryesor pranë FFM-së do të zhvillojë ndeshjen e parë të raundit të parë në kuadër të kompeticionit më të ri të UEFA-s në nivel klubesh.

Me Alijin në skuadër, Sileksi ka përfituar në përvojë europiane, duke pasur parasysh se kumanovari tashmë ka përjetuar ndeshjet europiane me Shkëndijën, Teteksin dhe Milanon e Kumanovës.

Kur jemi tek skuadrat me të cilat ka luajtur Aliji, vlen të përmendet se gjatë karrierës së tij i njëjti ka luajtur edhe për Ohrid Lihnidos, Vëllazërimin, EuroMilkun, Bashkimin, Gostivarin, Dritën e Bogovinës dhe Lirinë e Prizenit në Superligën e Kosovës. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply