Renova është skuadra e dytë nga vendi që ka vazhduar garat në eliminatoret e Liga Europa, teksa mbrëmë me rezultatin minimal 1:0 mundi ekipin armen të Alashkert, njofton “infOSport.mk”.
Në këtë ndeshje pamë një Renovë shumë këmbëngulëse, që në asnjë moment nuk mendonte elminimin, ndërsa falë një qasje të tillë, të përzgjedhurit e trajnerit Bujar Islami, në fund i’a arritën qëllimit.
Ndryshe golin e fitores për “gjipspunuesit” nga Tetova e realizoi mbrojtësi Nenad Mishkovski në minutën e 58-të. Gafuri mjaft mirë harkoi nga rivënia e këndit, ndërsa Mishkovski ishte më i gjindshëm në zonën kundërshtare dhe me kokë shënoi në rrjetën e Cancareviç.
Deri në fund të takimit vendasit e Alashkert tentuan të shënonin golin e barazimit, mirëpo rastet që krijonin ishin një detyrë e lehtë për portierin Hadis Veli, që bëri një super paraqitje dhe bashkë me golashënuesin Mishkovski në fund dolën të jenë më të merituarit për këtë fitore të madhe të Renovës.