Skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana, të mërkurën në mbrëmje prezantoi mbrojtësin e djathtë maqedonas, Kristijan Toshevski. Ish futbollisti i Vardarit bëhet blerja e tretë e këtij sezoni për skuadrën nga kryeqendra shqiptare, që më parë kishte siguruar edhe shërbimet e Ardit Tolit dhe Albion Avdijajt.
26-vjeçari Toshevski me origjinë nga Tetova, do të jetë një “armë shtesë” për krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku ditë më parë drejtuesit e Tiranës angazhuan edhe Ardit Tolin.
Toshevski me Tiranën ka firmosur kontratë dy vjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër, transmeton “infOSport.mk”.
26-vjeçari Toshevski me origjinë nga Tetova, karrierën e tij e kishte nisur në vendlindje me skuadrën e Teteksit, për tu transferuar më pas te Pelisteri, ndërkohë nga janari i vitit 2018-të ishte pjesë e Vardarit.
Ai me këtë skuadër ka zhvilluar gjithsej 57 ndeshje, 22 prej të cilëve edicionin e fundit, ku dhe realizoi 1 gol. Toshevski është edhe pjesë e përfaqësueses së Maqedonisë, për të cilën deri më tani ka zhvilluar 8 ndeshje, ndërsa gjithashtu ishte pjesë e përfaqësueseve zinxhir të vendit.
Ai në Ligën e Parë Futbollistike numëron plotë 116 ndeshje dhe 2 gola të shënuar.