Antonio Toma është njëri nga trajnerët e shumtë të huaj që kanë zbarkuar në futbollin kosovar në vitet e fundit. Derisa edicionin e kaluar ishte Vicenzo Alberto Annese ai i cili nga Italia erdhi për ta shpalosur përvojën e tij në Kosovë, këtë edicion është tekniku 56 vjeçar nga Sicilia që po e bën një gjë të tillë, shkruan Gazetasheshi.com.
Toma është më i veçantë, pasi që përvoja e tij dhe CV-ja e tij flet shumë. Ai dikur ishte pjesë e stafit teknik të Antonio Contes, i cili aktualisht e udhëheq Interin.
56 vjeçari në një intervistë dhënë portalit “Insporti” deklaroi se ka refuzuar ofertën e trajnerit të Interit, Antonio Konte për t’iu bashkuar te Interi, për skuadrën e Vushtrrisë.
“Menaxheri im ishte këtu në Prishtinë për biznes dhe gjatë një takimi me presidentin, presidenti i kishte thënë se i duhej një trajner, ai më ka propozuar mua. Unë kur u njoftova për ofertën e Vushtrrisë, isha duke e shqyrtuar edhe ofertën e Interit për t’iu bashkuar stafit të Antonio Contes, por nuk u mendova gjatë dhe bëra gati valixhet për të udhëtuar drejt Kosovës, pasi më ka pëlqyer idea që të udhëheqi një skuadër si kryetrajner”, deklaroi Toma.
Të refuzosh një skuadër si Interi për Vushtrrinë, këtë mund ta bëjë vetëm një njeri si Toma, i pasionuar pas zejës së trajnerit.
Ai pranoi se ditët e para si trajner i Vushtrrisë ishin të vështira, pasi kishte gjetur skuadrën në gjendje jo të mirë.
“Nuk është e lehtë pasi e kam gjetur skuadrën në një gjendje shumë të pa zakontë. Këtu e kam gjetur një skuadër me futbollistë të talentuar dhe të rinj në moshë, por që kanë frikë për të luajtur dhe frikë ndaj kundërshtarëve. Gjëja e parë që kam bërë në këtë skuadër, është motivimi për të luajtur futboll dhe të kenë guxim për përballjen me kundërshtarët dhe që të zhvillojmë lojë ofanzive, loja ofanzive është filozofia ime” – është shprehur strategu italian, Antonio Toma.
Nën drejtimin e tij, Vushtrria ka marrë vetëm një fitore në 7 xhirot e para, ndërsa është në rrugë të mirë të pësojë edhe disfatën e 5-të kampionale, pasi në këto momente ndodhet në disavantazh 4:0 përballë Dritës së Gjilanit në ndeshjen e vlefshme të javës së 8-të.