Skuadrat favorite kanë arsyetuar epitetin në ndeshjet e xhiros së dytë të Liga Europa, që në program ishin nga ora 21:00. Arsenali, Selltiku, PSV Ajndhoveni shënuan fitore komode, teksa Lacio, Ajntrahti i Frankfurtit dhe Sevilja në fund dolën me fitore minimale, njofton “infOSport.mk”.
Arsenali i Shkodran Mustafit, që sonte luajti titullarë fitoren ndaj Standard Liezh të Belgjikës në kuadër të grupit “F” e siguroi që gjatë 45 minutëshit të parë, kur shënoi 3 gola në fitoren 4:0.
18-vjeçari Martinelli (13’, 16’) shënoi dy golat e parë, për të vijuar Villok (22’) dhe për ta përmbyllur Sebajos me golin e shënuar në minutën e 57-të.
Selltiku me nga një gol në secilën pjesë pa shumë probleme mundi CFR Kluzh, ndërsa PSV Ajndhoveni si mysafir me shifrat e thella 4:1 mundi Rosenborgun.
Lacio e Tomas Strakoshës dhe Valon Berishës me përmbysje mundi francezët e Ren (2:1). Ishin Milinkoviç-Saviç dhe Immobile që zhvlerësuan golin e Morel në minutën e 55-të.
Ajntrahti i Frankfurtit falë golit të francezit Obite Evan N’Dicka (36’) si mysafir mundi Guimareshin, ndërkohë fitore minimale morri edhe Sevilja që në “Ramon Sançez Pizhuan” falë golit të shënuar nga Çiçarito (17’) mundi vetëm me 1:0 APOEL Nikozia.