
Derbi shqiptarë midis FC Shkupit dhe Renovës ka kaluar në shenjë të dy qendërsulmuesve të skuadrave respektive, Marin Jurina, gjegjësisht Remzifaik Selmani, të cilët shënuan nga dy gola në barazimin 2:2 të arritur në stadiumin e Çairit, njofton “infOSport.mk”.
Të parët në epërsi në këtë ndeshje kaluan vendasit, me golin e Jurinas në minutën e 42-të, kur mjaft mirë në zonë u shërbye nga ana e Serzhinjos, ndërkohë nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më vonë, Remzifaik Selmani në anën tjetër pasi doli i vetmuar para portierit Tulio, arriti që të barazojë rezultatin në 1:1.
Ky ishte rezultati i 45 minutave të para, ndërsa po i njëjti ishte valid deri në minutën e 82-të, kur Remzifaik Selmani pas një asisti të mrrekullueshëm të Ilirid Ademit arriti që të shënojë edhe golin e dytë në rrjetën e “bardhekaltërve” nga Çairi.
Ky gol bëri që FC Shkupi me të gjitha forcat të hudhet në sulm, në kërkim të golit të barazimit, të cilin e gjeti sërish Marin Jurina me golin e shënuar në minutën e fundit të takimit.
Pas këtij barazimi Renova ndanë pozitën e parë me Akademia Pandevin, që sot mundi Borecin, teksa FC Shkupi me 4 pikë ( 3 më pak se dy skuadrat kryesuese), mban pozitën e 5-të në renditje.