Merkato do të jetë “nxehtë” për Shkupin, drejtuesit po punojnë për përforcime!

Shkupi e nisi keq këtë sezon, por e mbylli në pozitë surprizë që as nuk pritej, duke ua “mbyllur gojën” edhe kritikëve që nxjerrnin “bardheblutë” si favoritë për rënie nga elita. Por kjo e fundit nuk ndodhi, me Shkupin që arriti të rikuperojë disa pozicione nga vendi i fundit i tabelës, duke dalë në vend të 5-të, me vetëm 3 pikë diferencë nga vendi i katërt që zotërohet nga Rabotniçki.

Skuadra shkupjane tregoi karrakter, duke u mbajtur fortë dhe me atmosferë të mirë menjanoi “krizën” që e kaploi në fillim të sezonit. Ndërkohë tash kur kampionati është në pauzë, drejtuesit e skuadrës nga Çairi janë duke punuar me përkushtim për merkaton e janarit, që të sjellin emra dhe përforcime të reja që do t’i ndihmojnë skuadrës për të arritur objektivat e sezonit që sigurisht është dalja në Europë.

Deri më tani nuk ka asnjë lëvizje te skuadra e Shkupit përvec Bazhe Ilijoskit që u largua pas mbylljes së kampionatit dhe nga ajo që arrin të mësojë “InfOSport.mk”, krerët e Shkupit fillimisht do të mundohen që të ruajnë grupin që kanë për momentin dhe më pas të sjellin emra të rinjë. Sigurisht se priten edhe largime dhe një nga ato është Kristian Stojkoski, që deri më tani ende nuk ka asnjë konfirmimin nga klubi, ndërsa pikërisht “InfOSport.mk” zbuloi se mesfushori ka pasur përplasje me trajnerin turk Umit Karan dhe ky i fundit e ka larguar nga skuadra.

Emër tjetër që pritet të zyrtarizohet në këtë merkato është ai i Alen Jasharaskoit, që edhe për këtë burime pranë “InfOSport.mk” tregojnë se drejtuesit janë në bisedime për ta rikthyer sulmuesin që aktualisht ka kontratë me Prishtinën. Mirëpo ky nuk do të jetë “zgjidhja” e vetme, pasi Shkupi pretendon edhe më shumë emra tjerë që do t’i nevojiten skuadrës.

Javët në vijim për Shkupin do të jenë të “nxehta”, pasi do të vendosen fatet e klubit për të ardhmen e këtij sezoni, ku pretendohet vetëm Europa dhe çdo gjë tjetër do të ishte dështim për “bardheblutë”./InfOSport.mk

Leave a Reply