
Shkëndija ka shënuar një fitore të thellë 5:1 në përballjen e javës së 11-të kundër Makedonija GJ.P në Tetovë, duke iu afruar edhe më shumë Vardarit të vendit të parë, kjo falë edhe kushërinjëve të tyre të Renovës, që barazuan pa gola në Shkup ndaj Vardarit, njofton ‘infOSport.mk’.
Deri te goli i parë duheshe të kalojnë plotë 42 minuta, kur në skenë doli mbrojtësi Visar Musliu, i cili mjaft mirë shfrytëzoi harkimin e Ibraimit nga goditja e lirë hde me kokë shënoi për 1:0.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm 3 minuta më pas, Shkëndija realizoi edhe golin e dytë, kësaj rradhe me autorë Besart Ibraimi, i cili mjaft mirë në shtyllën e parë shfrytëzoi harkimin e Armend Alimit.
Me këto dy gola në minutat e fundit u mbyll pjesa e parë, ndërsa në pjesën e dytë u luajt një futboll edhe më cilësor, me shumë aksione, e për më tepër edhe me më shumë gola.
Edhe pse Shkëndija krijonte raste, në pjesën e dytë të parët që shënuan ishin mysafirët. Megjithatë para se Makedonija Gj.P të shënonte, ‘kuqezinjtë’ në minutën e 63-të humbën një penalti, kur Gledi Mici goditi vetëm mbi portë.
Këtë më së miri e shfrytëzuan mysafirët, të cilët në minutën e 69-të me anë të ish sulmuesit të Shkëndijës, Hristijan Kirovski ngushtuan epërsinë e vendasve në 2:1. Shkëndija, më saktësisht Besart Ibraimi u kundërpërgjigjë në minutuën e 72-të kur me një eurogol shënoi për 3:1, teksa dy golat e fundit mbajnë firmën e Valmir Nafiut.
Ky i fundit fillimisht në minutën e 86-të shënoi për 4:1, kur me kokë nga afërsia shënoi golin e parë në sezonin e ri me fanellën e Shkëndijës, ndërsa në minutën e dytë shtesë të takimit pas një depërtimi të bukur nga e djathta të Besmir Bojkut, Nafiu arriti që të shënojë edhe golin e dytë personal dhe të pestin për Shkëndijën, që në këtë mënyrë arrinë edhe fitoren e dytë me rradhë, pas asaj ndaj Vardarit javën e shkuar.
Vlen të ceket se mysafirët nga Gjorçe Petrovi në minutën e fundit të takimit përmes Ilirid Ademit shënuan edhe golin e dytë në rrjetën e Zahov, mirëpo i njëjti u anulua për shkak se sulmuesi shqiptarë ishte në pozitë jashtëloje.
Me këtë fitore Shkëndija arrinë në kuotën e 22 pikëve, vetëm dy pikë më pak se liderët e Vardarit, që sot barazoi pa gola si vendas ndaj Renovës.