
FC Shkupi dominoi në tërësi ndeshjen e xhiros së dytë ndaj Pobedës, megjithatë te skuadra nga Prilepi i disponueshëm ishte portieri Darko Tofiloski, i cili thjesht ndalte gjithçka që shkonte në drejtim të portës së tij, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e trajnerit Zekirja Ramadani ishte dukshëm skuadër më e mirë, madje nuk ndaloi së sulmuari kur luante edhe me një futbollistë më pak në fushë, pas përjashtimit të Rron Brojës (dy kartonë të verdhë) në minutën e 75-të.
Rastet më të mira skuadra nga Çairi i kishte në pjesën e dytë, kur në dy raste u kanos Kristijan Stojkoski, ku vlen të veçohet goditja e tij në minutën e 57-të nga gjuajtja e lirë, mirëpo përveç tij duartrokitjet i takuan edhe portierit mysafir, i cili me një intervenim bravuroz nuk lejoi epërsinë e FC Shkupit.
Po i njëjti një gjë të tillë nuk lejoi edhe në minutën e 66-të, kur ndali goditjen me kokë të Suhejl Muharremit, ndërsa me kohë ndalonte edhe disa tentativa të tjera të futbollistëve vendas, të cilët fitoren e parë në sezonin e ri duhet kërkuar në kuadër të javës së tretë, kur do të jenë mysafir të liderit aktual, Akademia Pandev.