Vardari po përjeton momente aspak të këndshme. Pasi humbi garën me Shkëndijën për titullin e kampionit, si dhe për Kupën e Maqedonisë, te skuadra “kuq e zi” po ndodhin gjëra edhe më të rënda, njofton “infOSport.mk”.
Nga tabori i “kuqezinjëve” mësohet se gati për tu larguar janë tre ndër futbollistët me më përvojë, të cilët gjatë viteve të kaluara kishin qenë shtylla e Vardarit. Bëhet fjalë për kapitenin Boban Grnçarov, zëvendëskapitenin Nikolla Gligorov, si dhe për sulmuesin Dejan Bllazhevski. Që të treve ju përfundojnë kontratat, ndërsa të njëjtat nuk do të ju vazhdohen, pasi tashmë Vardari nuk qëndron mirë edhe në aspektin financiar.
Emri i Bllazhevskit lidhet ngushtë me një kalim të mundshëm te FC Shkupi, teksa dy veteranët, Boban Grnçarov dhe Nikolla Gligorov, ka gjasa që ti bashkohen Rabotniçkit, në ndeshjet që kjo skuadër do ti zhvillojë në Liga Europa.
Megjithatë kjo nuk është lista përfundimtare e futbollistëve që pritet të largohen, pasi si agjent i lirë nga Vardari do të largohet edhe armeni Hofhanes Hambarxhumjan, ndërsa për bashkëkombasin e tij, Tigran Barsegian interesohen më shumë skuadra.