
Shkëndija është skuadra e parë finaliste e Kupës së Maqedonisë, pasi sot arriti që të eliminojë ekipin e Renovës, njofton “infOSport.mk”. Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë si nikoqir, sot “kuqezinjtë” e Qatip Osmanit në rolin e mysafirit shënuan fitore me rezultatin 0:2, edhe atë duke iu falënderuar “dopietës” së Besart Ibraimit.
Që të dy golat bomberi kërçovarë i realizoi gjatë pjesës së dytë, pasi 45 minutat e para edhe përkundër dominimit të plotë të Shkëndijës, u mbyllën me reuzltatin e fillimit 0:0.
Ibrahimi golin e parë e realizoi në minutën e 48-të, kur në stilin e tij në mënyrë perfekte ekzekutoi goditjen e dënimit nga një distancë prej rreth 22 metrash.
Me këtë gol Shkëndija vetëm se nisi ritmin e vallëzimit, ndërsa nuk vonoi shumë dhe Ibraimi në minutën e 61-të nga pika e bardhë realizoi edhe golin e dytë.
Ishte pikërisht vetë Ibraimi që e përfitoi këtë 11-të metërsh, nga i cili nuk gaboi dhe në fund Shkëndijës finalen e madhe të Kupës së Maqedonisë i’a siguroi.
Është ky viti i tretë me rradhë që Shkëndija do të luaj në finalen e madhe, pas atyre ndaj Rabotniçkit në sezonin 2015/2016 dhe kundër Pelisterit sezonin 2016/2017, ndërsa këtë rradhë me një triumf do të shënonte vitin më të bukur që nga themelimi, pasi do të kurorëzohej me titullin e dyfishtë, duke pasur parasysh se është edhe shumë pranë titullit kampion.