
Pas ekipit të Shkëndijës në futboll të madh që ka siguruar një vend për në ndeshjet gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, një gjë të tillë ka bërë edhe ekipi i futbollit në palestër, skuadër kjo e cila në çerekfinale si mysafir eliminoi ekipin e Ovçe Pole nga Sveti Nikolla, njofton “infOSport.mk”.
Shkëndija shënoi fitore me rezultatin 5:6 në këtë transfertë të vështirë, ku si vendimtare ishte paraqitja e tyre e shkëlqyeshme gjatë pjesës së parë, kur e mbyllën me shifrat 1:4.
Altin Saliu dhe Besar Abduli kontribuan me nga një gol në këtë ndeshje, teksa Fatmir Xhelili dhe Meriton Halili shënuan nga dy gola, duke i siguruar skuadrës së tyre kualifikimin historik për në gjysmëfinale. Në anën tjetër për vendasit në listën e golashënuesve u regjistruan Petar Lazev, Aleksandar Petrovski, Ikica Jovanov dhe Nikolla Stojkoviç, i cili shënoi dy gola.
Shkëndija një vend për në çerekfinale kishte siguruar pasi në 1/8 e finales kishte eliminuar Velesin, teksa tashmë një vend për në gjysmëfinale siguroi bashkë edhe me Juventus Seravën, Crna Rekën dhe ekipin e Gemixhi nga Velesi, transmeton “infOSport.mk”.
Këta të fundit eliminuan ekipin e Zhelezarecit, Crna Reka eliminoi Ciko-n nga Gjevgjelia, teksa Juventus Serava një vend për në gjysmëfinale siguroi pasi të martën në mbrëmje eliminoi Futsal Shkupin.