Kampionët e dimrit në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, Vëllazërimi, sot edhe zyrtarisht kanë nisur fazën e përgatitjeve, e cila fillimisht do të zhvillohet në Kërçovë, njofton “infOSport.mk”.
Në grumbullimin e parë të bërë nga ana e trajnerit, Nazmi Ajdini, prezent ishin thuajse të gjithë futbollistët që ishin ndër bartësit kryesor për ato suksese të gjysmësezonit të parë, ndërsa gjithashtu atyre iu bashkuan edhe 4 futbollistë të rinj.
Siç raporton korespodenti i “infOSport.mk” nga Kërçova, ndër futbollistët e rinj te Vëllazërimi ishin si Ardit Zeqiri (Drita e Bogovinës), Genti Bislimi (EuroMilk), Bllagoja Naumoski (Novaci) si dhe portieri, Gentian Cadaroski, që ishte pjesë e grupmoshave të reja te Shkëndija.
Megjithatë në bisedë me trajnerin Nazmi Ajdini, i njëjti tha se ditëve në vijim te Vëllazërimi pritet të vijnë edhe emra të tjerë, me të cilët Vëllazërimi do të tentojë të ruajë pozitën e parë dhe në fund të sezonit të promovohet në mesin e më të mirëve në elitën e futbollit vendor.
Që sa më të përgatitur të presin ndeshjet e stinorit pranveror, strategu kërçovar ka ndarë në tre pjesë fazën e përgatitjeve. Pjesa e parë do të zhvillohet në ambient të mbyllur, (fushë me barë sintetik), ku skuadra do të zhvillojë nga një stërvitje, pjesa e dytë do të startojë nga data 4 shkurt dhe e njëjta parasheh nga dy stërvitje në ditë (para dite fitnes në palestër, pas dite stërvitje me top në fushë futbolli), ndërsa në fazën e tretë skuadra do të përgatitet në Ohër. Edhe pse ende nuk është caktuar ndonjë datë precize, atje trajneri Ajdini ka paraparë që skuadra të qëndrojë për 15 ditë, ku edhe do të zhvillojë disa ndeshje miqësore.