Ka vazhduar seria e zezë e Juventus Seravës edhe pas javës së 5-të në elitën e futsalit vendor. “Bardhezinjtë” nga Serava mbrëmë nga Gjevgjelia u kthyen me disfatën e rradhës, që ishte e pesta nga po aq ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri, njofton “infOSport.mk”.
Vendasit e Ciko-s ishin të parët që shënuan, për të pasuar pjesa më e mirë e Juventus Seravës, që falë golave të lojtarit të tyre të talentuar Erkan Shabani, fillimisht arritën që të barazojnë rezultatin, që më pas me anë të Burhan Idrizit për herë të parë të avansojnë në këtë ndeshje.
Megjithatë epërsia e tyre nuk zgjati shumë, pasi vendasit deri në mbyllje të pjesës së parë arritën që të barazojnë shifrat në 2:2, që njëherit ishte edhe rezultati i pjesës së parë. Megjithatë gjërat ndryshuan në pjesën e dytë, kur pamë një Juventus të çorientuar, pa ide dhe pa sulme konkrete, ndërsa një gjë të tillë në maksimum shfrytëzuan vendasit, të cilët shënuan edhe dy gola të tjerë në pjesën e dytë, për rezultat përfundimtarë, Ciko 4, Juventus Serava 2.
Falë kësaj fitore Ciko arriti në kuotën e 7 pikëve dhe aktualisht renditet në pozitën e katërt, duke zbritur nga kjo pozitë për momentin skuadrën e Zhelezarecit, që ndeshjen e saj të javës së 5-të do ta zhvillojë të dielën me fillim në ora 19:00 në Autokomandë ndaj Astibos.
Në anën tjetër Juventus Serava mbetet në kuotën e 0 pikëve, njëjtë sikurse edhe Mal Ajaksi, që pas pak me fillim në ora 19:00 do të jetë mysafir i skuadrës kryesuese në tabelën e klasifikimit, Futsal Shkupit.