Ish futbollisti i Sloga Jugomagnatit – FC Shkupit, Goran Stankovski është emëruar në postin e trajnerit te skuadra e Rabotniçkit. Stankovski në këtë post do të zëvendësojë Viktor Trenevskin, i cili gjatë ditës dha dorëheqje, për shkak rezultateve të dobëta në këtë fillim sezoni në elitën e futbollit vendor.
Lajmin e konfirmoi numri një i Rabotniçkit, Dragan Popovski përmes faqes zyrtare të klubit nga “Debar Maalo”.
40-vjeçari Stankovski nuk ka ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, ku deri më tani punonte me grupmoshat e reja të Rrabotniçkit.
Ai gjatë karrierës futbollistike, përveç me ekipin e Sloga Jugomagnatit – FC Shkupit, kishte luajtur edhe me Rabotniçkin, Makedonija Gj.P, ekipin gjerman të Tenis Borusia, belgët e Antverpen, skuadrën turke të Dijarbakër si dhe skuadrën moldave të Daçias.
Sa i përket pjesës tjetër të stafit teknik, ai mbetet i njëjti, me Milan Ilievskin dhe Slavço Georgievskin si dy ndihmës të tij, bashkë edhe me trajnerin e portierëve, Dragi Atanasovski.
Stankovski që nesër me fillim në ora 11:00 do të ketë stërvitjen e parë zyrtare me ekipin e parë të Rabotniçkit, ndërsa debutimin e tij do ta ketë të mërkurën në ndeshjen kundër Sileksit.