Çmimi i Madh i Meksikës në Botërorin e Formula 1 nuk është në rrezik, pavarësisht tërmetit të fortë që tronditi këtë shtet.
Pista “Hermanos Rodriguez”, nuk ka pësuar dëme nga lëkundjet sizmike, lajm që u konfirmua nga shefi i marketingut të kësaj gare, Rodrigo Sançez.
“Pista në të cilën do të garohet në Formula 1 nuk ka pësuar asnjë lloj dëmi nga tërmeti. Ajo dhe strukturat e tjera janë inspektuar dy herë deri tani dhe gjithçka është në rregull. Gjithsesi, do të vazhdojmë të monitorojmë situatën, por për momentin asgjë nuk na pengon të organizojmë garën. Do të vijojmë punën që t’u dhurojmë spektakël 135 mijë tifozëve që do të jenë në tribunë”, tha Sançez.
Gara për çmimin e madh të Meksikës, e 18-ta në kuadër të Botërorit të Formula 1 në program është me datë 29 tetor.