Shkëndija dhe Rabotniçki gjatë ditës së sotme do të zhvillojnë ndeshjet e tyre të kthimit në kuadër të turit të dytë eliminatorë të Liga Evropa.
Në rast se të dyja skuadrat do të kalonin këtë raund, duke eliminuar Helsinkin, gjegjësisht Dinamo Minskun, ata kanë një rast të mirë që të mbushin arkat e tyre me një shumë të konsiderueshme të hollash.
Shkëndija dhe Rabotniçki deri më tani kanë inkasuar nga 440 000 euro, ndërsa në rast se kalojnë edhe raundin e dytë, ata do të shtonin në llogaritë e tyre edhe nga 235 mijë euro të tjera shtesë, duke arritur në këtë mënyrë në shumën prej 675 mijë euro.
Kualifikimi i tyre i mundshëm në garat e “play-off”, do ju siguronte atyre edhe një shumë tjetër prej 245 mijë euro, me të cilën shifër do të arrinin shumën e 920 mijë eurove.
Mirëpo për të arritur deri te kjo shifër, fillimisht Shkëndija dhe Rabotniçki do të duheshe të kalonin pengesat e para që kanë në këtë rrugëtim.
Shkëndija ndodhet në një pozitë më të volitshme, pasi sot në Helsinki do të zbres në fushë me dy gola epërsi, pas fitores 3:1 në ndeshjen e parë në Strumicë, teksa Rabotniçki do të duhet të sulmojë që nga minuta e parë për të shënuar fitore, apo të paktën të arrijë një barazim me dy e më shumë gola, pasi “romantikët” në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup kishin barazuar me rezultatin 1:1.