Ardhja e Vlatko Kostov në krye të Renovës mund të sjellë edhe largimin e portierit shqiptarë, Eglant Haxho nga rradhët e Renovës. Siç mëson “infOSport.mk”, strategu i ri i “gjipspunuesve” nuk do të llogarisë në shërbimet e Haxhos, edhe pse ky i fundit sezonin e kaluar ishte ndër lojtarët më standard te Renova. Ai zhvilloi plotë 35 ndeshje, duke munguar vetëm në ndeshjen e javës së 31-të ndaj Shkupit në Tetovë, kur vendin e tij zuri, Saladin Mustafi.
Mirëpo duke pasur parasysh se edhe ky i fundit u largua ditë më parë nga rradhët e skuadrës nga Xhepçishti, tashmë mbetet të shihet se cilin portier do e sjellë Renova, që aktualisht ka mbetur vetëm me portierin e tretë, Vullnet Islamin.
Saladin Mustafi karrierën e tij vendosi ta vazhdojë në Kosovë, te skuadra e Llapit, derisa Eglant Haxho aktualisht ndodhet në Shqipëri, ku me shumë gjasa edhe do të vazhdojë karrierën e tij.
Ndryshe Haxho te Renova erdhi verën e vitit të kaluar nga rradhët e Tërbunit, teksa gjatë karrierës së tij ai ka mbrojtur edhe te skuadrat si, Apolonia Fier, Kamza, Berat, Bylis, Kukës dhe Butrint.